Lajme
U kritikua për keq-menaxhim të pandemisë, Gërvalla i del në mbrojtje Vitisë
Demokracia
23:59 | 26 Gusht 2021

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka dalë në mbrojtje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi deputeti i Listës “Guxo”, ku bënë pjesë edhe Gërvalla, ka kritikuar ashpër çasjen e tij ndaj pandemisë, duke kërkuar edhe dorëheqje.

Përkundër që sot u konfirmuan 18 vdekje dhe rreth 2300 raste të reja me COVID-19, Gërvalla ka përgëzuar Vitinë për punën që po bënë për pandeminë.

Postimi i plotë:

Heq kapelen para kolegut tim, Arben Vitia.

Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë. Shumë nga afër i kam përcjellur betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën.

Më 22 mars 2021 patëm trashëguar nga qeveria paraprake jo vetëm 0 vaksina, por edhe 0 kontrata, ndërkohë që shtetet e tjera shumicën e kontratave i kishin lidhur që në vjeshtën dhe dimrin e vitit të kaluar. Me ndihmën fillimisht të partnerëve ndërkombëtarë dhe më pas me lidhjen e kontratës direkte me kompaninë Pfizer, edhe në Kosovë , edhe pse me mjaft vonesë, arritën më në fund vaksinat dhe vaksinimi filloi në masë. Ndërkohë janë dhënë mbi treçerek milionë vaksina.

Varianti i ri i virusit dhe rritja e madhe e rasteve të reja e ka vënë të gjithë botën para një sfide. Numri i rasteve tragjike po na trondit të gjithëve çdo ditë e më tepër. Përvoja edhe e shteteve të tjera tregon se shtrëngimi i masave dhe përshpejtimi i vaksinimit janë rrugëdalja e vetme.

E sigurtë që edhe këtë sfidë do ta kalojmë së bashku. Kemi edhe kaq shumë punë para vetes./Demokracia.com/

Të ngjashme