Në mëngjes, Sindikata e Pavarur e RTK-së e akuzoi Besnik Boletinin, kryetar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, për përdorim të gjuhës seksiste gjatë një mbledhje të Bordit të RTK-së, duke kërkuar dorëheqjen e tij nga ky post. Në lidhje me këtë temë, ka reaguar edhe vet Boletini. Në një shkrim të gjatë, ai ka dhënë shpjegimin e tij. Çka shkroi Boletini?
Boletini ka shkruar se termet e përdorura janë cituar pa u përpunuar. Pra, sipas Boletinit, termet e përdorura nuk kanë qenë konstatim i tij, por citime që prezantojnë një përceptim.
“Ajo që po citohet nuk është konstatim i imi por prezantim i një perceptimi. Pra, kam thënë se perceptimi negativ ka shkuar deri në atë masë sa që është krijuar edhe kjo përshtypje dhe njëjta më thuhet edhe mua në ambientet e punës. Pra kam folur për një perceptim që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje, e jo për mënyrën se si veshën kur vijnë në punë. Kjo çështje është e rregulluar me rregullore të brendshme. E çfarëdo kahje tjetër e deklaratave të mia është një manipulim i qëllimshëm.” – shkroi Boletini.
Tutje, ai ka shkruar se është keqcituar qëllimshëm dhe është manipuluar konteksti nga disa individë.
“Për të qenë korrekt, ajo çka kam thënë në një moment në diskutim e sipër gjatë debatit interaktiv është se “unë marr informacione (d.m.th që të tjerët po më thonë) se punëtorët vijnë me pizhame, ‘miniqa’, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”, pra kam cituar diçka që më është thënë, dhe e kam theksuar se është i papranueshëm si informacion dhe perceptim që po më thuhet në ambiente të punës, që disa punonjës pas aktiviteteve të ndryshme vijnë dhe e bëjnë vetëm daljen duke u evidentuar në punë. Sigurisht që nuk ka qenë mënyra më e mirë për ta përshkruar dukurinë e pretenduar, por gjatë debatit e kam bërë përshkrimin eksplicitë siç më është thënë, pa e përpunuar. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë për të përshkruar diçka tjetër, apo për të fyer dike. Sot përmes një sqarimi lidhur me vendimin dhe këtë çështje, u kam shprehur keqardhjen të gjithë punonjësve të RTK-së, nëse ndokush është ndjerë keq, duke marrë parasysh se është bërë edhe një keq-citim i qëllimshëm dhe manipulim i kontekstit nga disa individë. Pasi që nuk kam thënë që po vijnë në atë mënyrë në punë. Kam folur vetëm për evidentimin.” – shkroi ai tutje.
Reagimi i Sindikatës
Sindikata e Pavarur e RTK-së ka bërë një reagim publik, në të cilin ka denoncuar gjuhën seksiste që sipas tyre e ka përdorur kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.
Në reagimin e tyre, ata kanë theksuar se Boletini ka deklaruar se punetorët e RTK-së shfaqen në punë me pizhame e minifunde.
“Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër deklaratës skandaloze të kryetarit të Bordit Besnik Boletini për punëtorët e RTK-së. Në takimin e Bordit të mbajtur me datë 6 shtator 2023, në praninë e vëzhgueses së Sindikatës si dhe të gazetares së BIRN-it, kryetari Besnik Boletini ka deklaruar:
“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”.” – thuhet në reagim.
Përmes reagimit të tyre, Sindikata e Pavarur e RTK-së ka kërkuar dorëheqjen e Boletinit.
“Pas këtyre veprimeve të njëpasnjëshme, skandaloze, Sindikata kërkon nga Kryetari, Besnik Boletini që menjëherë ta lirojë postin e kryetarit të Bordit.
Në të kundërtën ne si Sindikatë do të ndërmarrim veprime radikale ligjore, përfshirë protestat dhe grevën.” – thuhet tutje në reagim.