Lajme
“U informova nga ambasadori amerikan”: Kurti e bën ”hallakamë” me deklaratën për veriun
Demokracia
19:20 | 26 Nëntor 2022

Share:

Një prej lajmeve kryesore të ditës së shtunë, ka qenë deklarata e kryeministrit Albin Kurti, përmes së cilës dha arsyet se pse u pajtua për kompromis lidhur me çështjen e targave. “Situata mund të përkeqësohet rëndë…”, kështu po pretendon Kurti se u paralajmërua nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Shumë ditë dramë, frikë për tensione të mundshme në veri, për përshkallëzim të situatës – që krejt në fund, të përfundojë me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targat.

Pse e pranoi Kurti kompromisin?
Në një intervistë për Michael Martens, korrespodent i gazetës së njohur gjermane, Frankurter Allgemaine Zeitung, Kurti citohet të ketë dhënë detaje rreth arsyjeve pse e pranoi kompromisin.

Ndonëse intervista e plotë nuk është publikuar ende, Martens ka dhënë disa detaje interesante.

Ai citon kryeministrin e Kosovës të ketë thënë se mori një paralajmërim nga ambasadori amerikan në Kosovës se situate në veri mund të përkeqësohet.

“Kurti tha se u pajtua për një kompromis në “krizën e targave” pas paralajmërimit nga ambasadori i ShBA-së në Prishtinë se situata në veriun e Kosovës “mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”, shkroi gazetari në Twitter.

Bëhet “hallakamë”, shumë reagime
Deklarata e kryeministrit Kurti ka shkaktuar shumë reagime, madje në opinionin publik po cilësohet edhe si shqetësuese.

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, tha se është shqetësuese paaftësia e Kryeministrit Kurti për t`i kuptuar me kohë mesazhet e aleatëve.

“Është shqetësuese paaftësia e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me i kuptue me kohë mesazhet tona dhe të aleatëve tanë për politikë të urtë, në bashkërendim me aleatët dhe miqtë tanë, në kohën kur ka përpjekje intensive ndërkombëtare për përmbyllje të dialogut për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, e cila në thelb duhet ta ketë njohjen reciproke. Në një intervistë për gazetën e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), që s’është botuar ende, Kryeministri Kurti paska thënë se është pajtuar të bëjë kompromis [me Serbinë] për “krizën e targave” gjatë kësaj jave pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë se situata në veri të Kosovës “do të mund të përkeqësohej rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, Artan Behrami, ish-këshilltar i presidentit, Hashim Thaçi po vlerëson se kryeministri nuk di t’i kalkulojë dëmet që po ia shkakton vendit.

Njëjtë, edhe Behrami, vlerëson se një gjë e tillë është “shqetësuese”.

“Sipas kësaj logjike, atë e ka ditur krejt Prishtina, e nuk e paska ditur as Kryeministri Kurti, as Presidentja Osmani, as AKI-ja, as Policia e Kosovës. Unë jam 100% i bindur se AKI-ja dhe Policia e Kosovës i kanë pasur të njëjtat shqetësime. D.m.th., e kemi një kryeministër, i cili nuk di të kalkulojë dëmet që ia shkakton vendit. Tepër shqetësuese”, ka shkruar Behrami.

Ndërkohë, ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se nëse deklarata nuk është nxjerrë nga konteksti, është skandaloze “për t’u thënë në një medium ndërkombëtar”.

“Kjo deklarate nese nuk eshte nxjerre nga konteksti nga gazetari (si jo rralle ne te kaluaren) eshte skandaloze per tu thene per nje medium ndërkombëtar”, ka shkruar ajo për citatin e shkëputur se “ambasadori amerikan ka informacione më shumë rreth situatës në Veri”.

Gazeta Milaim Zeka në anën tjetër, cilëson se deklarata e dhënë nga kryeministri Kurti është “gënjeshtër” dhe “poshtëron organet e sigurisë”.

“Përmes kësaje rrene, Kurti e poshtroi në radhë të parë Agjencionin Kombëtar të Intelegjencës së bashku me çdo mekanizëm tjetër të shtetit për sigurinë kombëtare. Të shkojmë më radhë: -Nëse unë deklaroja se mbi 400 njerëz të armatosur deri në dhëmb janë futur në Veriun e Kosovës, në mesin e tyre edhe shumë rus, nga e kisha marrë unë këtë informacion?! Mos kam unë më informata më shumë se sa Kreministri i Kosovës?! Në asnjë mënyrë, ”, ka shkruar Zeka në Facebook./Nacionale/

Të ngjashme