Lajme
“U dëmtuan interesat e Kosovës…” | Osmani “harron” fushatën kundër Marrëveshjes së Uashingtonit që u arrit në zyrën e presidentit Trump
Demokracia
17:00 | 08 Dhjetor 2024

Share:

“Duke aplikuar një politike të jashtme tërësisht pasive të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke e pranuar moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për të konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm që u dëmtuan interesat tona strategjike, por edhe ishin dikur dritat e politikës sonë të jashtme”.

Kështu deklaronte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 21 dhjetor 2021, në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, duke sulmuar ashpër njërën nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit që ishte arritur në zyrën e presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Deklarata presidentes Osmani, e cila mbante një qëndrim të ngjashëm e kundërshtuar me atë të kryemisitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj angazhimeve të administratës së presidentit Donald Trump, i referohej “moratoriumit një vjeçar”.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ishte pajtuar për një moratorium 1 vjeçar për të mos lobuar për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia ishte pajtuar të ndalonte fushatën agresive kundër Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, ajo që ishte “përgatitur” në Shtëpinë e Bardhë kishte cënuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtën për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Koha kur po e mbante fjalimin presidentja Osmani ishte dhjetori i vitit 2021, gati dy vite pasi në Shtpëinë e Bardhë nuk ishte më Donald Trump, por Joe Biden.

Me fitoren e kandidatit republikan, Trump në zgjedhjet e nëntorit 2024 dhe zyrtarizimin e rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit 2025, presidentja Osmani ka lënë në “harresë” shërbimin e saj në fushatën e rrezikshme të kryeministrit Kurti dhe të Lëvizjes Vetëvendosje kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht administratës së presidentit Trump.

“Aleanca euroatlantike”!, ka shkruar Osmani në fotografinë që ka shpërndarë me presidentin e rizgjedhur amerikan, Trump dhe atë francez, Macron. /Demokracia.com/

Të ngjashme