Lajme
“U bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë, kanë kaluar dy muaj…” | Kurti prapë në kërkim të sanksioneve për Serbinë, por vetë nuk guxoi ta marrë asnjë masë bllokuese pas 24 shtatorit
Demokracia
11:45 | 25 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar faktorët ndërkombëtarë që ende nuk kanë vendosur sanksione ndaj Serbisë edhe dy muaj pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

“Për të mos ndodhur kjo është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të BE-së, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-së në njërën anë, por edhe sanksionet, masat ndaj Serbisë, në anën tjetër. Nuk mund ta tolerojmë, durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, si sulm terrorist e kriminal, për këtë arsye duhet të veprohet sot e jo nesër. Për këtë u bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë ta shtrojmë çështjen, kanë kaluar 2 muaj”, u ankua Kurti të premten më 24 nëntor 2023.

Por, pavarësisht ankesave ndaj të tjerëve, në këtë rast ShBA-së dhe BE-së, kryeministri Kurti dhe Qeveria që drejton ai, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë të vetme që ndëshkon Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Në një kohë tjetër, kur Kurti ishte opozitar dhe mjaft i ashpër në qëndrime kundër Serbisë, Kosova e kishte të lehtë se si do të duhej të sillej ndaj Serbisë kur ajo sillet në mënyrë kriminale ndaj Kosovës.

“Si do ta kushtëzoni Serbinë”, ishte pyetja e drejtuesit të emisionit Opinion, Blendi Fevziu, për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Me pushtetin e Vetëvendosjes, një gjë e tillë do të bëhej e mundur shumë kollaj. Serbia duhet të kushtëzohet. Gjithkund në botë shtetet kushtëzojnë njëra-tjetrën. E bllokon kufirin me Serbinë dhe i thua nuk ta lejojë tregun e Kosovës përderisa sillesh në mënyrë kriminale ndaj meje”, ishte përgjigjja e Kurtit.

Megjithkëtë, edhe pse “24 shtatori” tejkalon të gjitha sjelljet kriminale të Serbisë që nga përfundimi i luftës së Kosovës, kryeministri Kurti nuk ka vendosur asnjë masë ndëshkuese ndaj mallrave serbe, importi i të cilavë është qindra miliona euro brenda një viti. /Demokracia.com/

Të ngjashme