Sport
U arrestua me armë, futbollisti i Sassuolos dënohet me 14 muaj burg
Demokracia
22:04 | 09 Prill 2022

Share:

Sulmuesi i talentuar uruguaian, në pronësi të Sassuolos, Nicolas Schiappacasse është dënuar me 14 muaj burg, i konvertuar në arrest shtëpie, pasi pranoi akuzat për trafikim dhe posedim armësh.

Ai do të duhet të shërbejë edhe në komunitet. Ish-lojtari i të rinjve të Uruguait, u arrestua në atdheun e tij në janar, pasi u kap me një pistoletë 9 mm në makinën e tij.

Vendimi u dha nga një gjykatë vendase, e cila i ka lejuar 23-vjeçarit të dalë vetëm për të kryer seancat stërvitore me klubin e Tanque Sisley, ku edhe është i huazuar nga italianët e Sasuolos.

Futbollisti ka kryer një pjesë të mirë të dënimit në ambientet e paraburgimit. I lindur në vitin 1999, Nikola cilësohej padyshim një nga të rinjtë më të talentuar, duke shënuar 30 gola në 70 ndeshje me moshat e Uruguajit, nga U17 deri në U20.

Kaq mjaftoi që futbollisti të transferohej që në moshë të re te Atletiko e Madridit, ku qëndroi në periudhën 2016-2020, por më së shumti në huazim, përfshi edhe atë te Parma, klub me të cilin edhe debutoi në Serinë A italiane.

Në verën e 2020-ës sulmuesi u ble nga Sasuolo, që e huazoi fillimisht te Penarol e më pas te Tanque Sisley, megjithatë futbollisti ka kontratë deri në verën e 2023-shit me klubin emilian.

Për sa i përket armës, ajo u zbulua në një pallto në prehrin e tij gjatë një ndalimi rutinë  në qytetin e Maldonados. Policia më pas publikoi fotografitë e lojtarit duke u vënë në pranga, si dhe imazhin e armës së sekuestruar.

Futbollisti në pronësi të Sasuolos qëndroi dy muaj e 12 ditë në burg në paraburgim pranë kryeqytetit uruguaian të Montevideos përpara seancës gjyqësore të së enjtes. /Demokracia.com

Të ngjashme