Trajneri i Llapit, Tahir Batatina dhe gazetarja e sportit Qëndresa Krelani kanë zhvilluar një debat të ashpër gjatë emisionit “Sporti Total” në KTV.
Tekniku llapjan e quajti gazetaren Krelani “palosëse gazetash dhe pastruese”, pas kritikave që pati kjo e fundit në drejtim të punës së Batatinës te skuadra e tij.
“Unë mendoj se besimi ndaj teje si trajner ka humb shumë, shumë moti. Më trego zoti Batatina, kur vazhdimisht ke këso lloj rezultatesh, më trego cilat janë objektivat? A është Evropa?”, pyeti Krelani Batatinën.
Ky i fundit iu kundërpërgjigj ashpër duke thënë: “Ti ose nuk je në botën e futbollit në Kosovë. Çfarë gazetare je ti që nuk e di se në çfarë pozite ndodhet Llapi? Ju nuk e dini. Si mund të thuash një skuadër nuk është brenda objektivave kur është afër finales së Kupës së Kosovës? Nuk besoj që ti je në gazetari apo që e përcjell futbollin, sepse duhet ta shohësh ndryshe… në gazetari ti mund të palosesh gazeta ose të pastrosh, por jo ta analizosh futbollin në këtë mënyrë… po të isha menaxher i juaji do të të lija të palosesh vetëm gazeta.”
Debati i nxehtë u përshkallëzua edhe më fyerje kur Batatina ia përmendi veshjen Krelanit, derisa “Qeqa” i reagoi duke e akuzuar Batatinën se ai qëndron në klub vetëm pasi vëllezërit e tij janë pronarë aty.
“Ti nuk je e nivelit tim për të debatuar për futboll në studio dhe po ta dija që je ti nuk do të vija. Nuk dal më në studio televizive aty ku je edhe ti. Niveli juaj nuk është i nivelit të një gazetareje, së pari, duke filluar nga dukja”, i tha Batatina.
“Niveli juaj si trajner është minues zero. Po t’i kishte rezultatet tuaja një trajner tjetër, do ta kishte humbur punën, por përparësia juaj është që i ke vëllezërit pronarë dhe ti bën çfarë të duash. Dikush tjetër do të skuqej pak”, iu përgjigj Qëndresa Krelani e cila njihet si “Qeqa”. /Demokracia.com