Twitter ka bllokuar një llogari në persisht që mendohet të jetë llogaria e liderit suprem të Iranit, ajatollahut Ali Homeini, i cili të premten publikoi një cicërimë, përmes së cilës kërcënoi me vdekje ish-presidentin amerikan, Donald Trump, shkruajnë mediat e huaja, raporton Demokracia.com.
“Hakmarrja është e paevitueshme”, shkruhej në cicërimën mbi fotografinë e Trumpit, ku shihej duke luajtur golf, teksa i afrohej një dron.
“Vrasja e Soleimanit dhe ata që urdhëruan vrasjen e tij, duhet ta paguajnë”, është cituar të ketë thënë Homeini disa herë gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, pak para përvjetorit të vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, me një dron amerikan në Bagdad.
Edhe pse në tekst nuk përmendet emri i Trumpit, fotografia nuk e vë në dyshim objektivin.
Twitter ka arsyetuar mbylljen e kësaj llogarie për shkak të cenimit të normave të këtij rrjeti social, njëjtë siç bëri disa javë më parë me vetë Trumpin.
Twitter po mundohet të vërtetojë nëse kjo llogari ishte e vetë Homeinit. /Demokracia.com