Auto&Tech
Twitter ‘bllokon’ disa gazetarë të shquar – BE paralajmëron sanksione
Demokracia
15:57 | 16 Dhjetor 2022

Share:

Vendimi i Elon Musk për të ‘bllokuar’ papritur disa gazetarë të shquar në Twitter ka nxitur një reagim të ashpër në Evropë.

Gjermania paralajmëroi për ndikimin në lirinë e shtypit, ndërsa një zyrtar i lartë i BE-së tha se Twitter duhet të jetë në përputhje me rregullat e bllokut ose të përballet me sanksione të mundshme.

“Liria e shtypit nuk mund të ‘ndizet dhe fiket’ kur të doni ju”, ka shkruar në Twitter, ministria e Jashtme e Gjermanisë, duke shtuar: “Nga sot këta gazetarë nuk janë më në gjendje të na ndjekin, të komentojnë apo kritikojnë. Neve na shqetëson kjo”, raporton CNN.

Věra Jourová, zëvendës presidente e Komisionit Evropian për vlera dhe transparencë, tha se “pezullimi arbitrar” i gazetarëve ishte “shqetësues” dhe ajo tregoi se kompania mund të përballet me ndëshkime si rezultat i kësaj, transmeton Telegrafi.

“Akti i Shërbimeve Digjitale të BE-së kërkon respektimin e lirisë së medias dhe të drejtave themelore. Kjo është përforcuar sipas aktit tonë #MediaFreedom”, shkroi Jourová në një postim në Twitter, duke shtuar se Musk “duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë”.

“Këtu ka vija të kuqe”, vazhdoi ajo. “Dhe do të ketë sanksione, së shpejti”.

Të enjten në mbrëmje, Twitter ndaloi llogaritë e disa gazetarëve të profilit të lartë nga organizatat kryesore të lajmeve pa shpjegime, duke përfshirë Donie O’Sullivan të CNN, Ryan Mac të The New York Times dhe Drew Harwell të The Washington Post.

As Musk e as Twitter nuk u përgjigjën ndaj një kërkese për koment të enjten mbrëma, kërkesë kjo e bërë nga CNN, dhe platforma nuk shpjegoi saktë se cila ishte arsyeja se pse u mbyllen llogaritë e gazetarëve.

Të ngjashme