Lajme
“Tuta e frikshme” e Vjosa Osmanit për rastin e Klan Kosovës
Demokracia
11:05 | 29 Korrik 2023

Share:

Është mbase tautologji të thuhet, por Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje shpërfaqi një “tutë të frikshme” në reagimin e saj për ngjarjet më goditëse ndaj demokracisë, medias së lirë, por edhe vetë lirisë së fjalës. Kjo ngase u pa sikur dy plus që bëjnë katër, që ajo vetë nuk gëzon fjalën e saj të lirë. Për të mbështetur pse kjo është kështu mjafton të shihni që ajo reagimin e saj nuk e publikoi në faqen e saj zyrtare “Vjosa Osmai” ku e ka audiencën e saj të plotë e të gjerë prej afro 500 mijë ndjekësisht, por në faqen e Presidencës së Kosovës në Facebook ku i ka diku 13 mijë ndjekës. Kjo e para…E dyta? Në reagim shkruhet veç “Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës”, pa ia përmendur fare emrin as vetes si Vjosa Osmani.

Në këtë shkrim thuhen aq shumë gjëra abstrakte sa që nuk konkretizohet asgjë, e që rrjedhimisht edhe nuk thuhet edhe asgjë. Këtu solidja, që është ngjarja, mbyllja arbitrare e një mediumi dhe një mase brutalisht disproporcionale e pushtetit për mbylljen e një televizioni, shkrihet tërësisht në ajër me fraza krejtësisht të përgjumtë e lakonike duke i ikur thelbit, e që do të ishte quajtja e gjërave me emrin e tyre të drejtë. Sa për emër, siç u tha më lartë, ajo s’ia thotë as vetes.

Diku provon të jetë në anën e “lirisë së mediave” që thotë se “nuk është privilegj” ndërsa një paragraf më poshtë ia bën masazhin psikologjik pushtetit “brenda kufijve të ligjit” në të cilën thirret, e ku më pastaj vazhdon në “mbështetje ligjore të fjalët së lirë”. Këtu, ajo veçse nis të pasqyrojë moslirinë e fjalës së vetë të lirë. Shkrimi të ngjan me një mot të keq që s’jep as shi, as vetëtimë, as shkrepë dritë, e as nuk largon retë. Obskuritet në tërësi.

“Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”, shkruan ajo.

Moderatori i emisionut Pressing në T7, Leonard Kerquki, shkrimin e Vjosa Osmanit e quajti veçse “frikë në palcë” të kësaj të fundes. E para shtetit, sipas tij, po frikësohet ta formulojë qoftë edhe një qëndrim të vetëm.

“Ky reagim shpërfaq frikën deri në palcë të zonjës Vjosa Osmani. Njeriu që mban pozitën e Shefes së Shtetit, përmes këtij tregimi, tregon pazotësinë e saj. Njeriu më i votuar në Kosovë, i shndërruar në një politikane që frikësohet ta formulojë qoftë edhe një qëndrim të vetëm”, ka shkruar Leonard Kerquki në reagimin e tij.

Edhe media CoolnFresh Magazine, e njohur për humorin më therrës madje është tallur me reagimin e presidentes duke e reduktuar kuptimin e shkrimit në pak fjalë:

“Perkthimi: Jena tu tut edhe na”, ka komentuar CoolnFresh Magazine.

Edhe ish-këshilltar i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami, (mos)fjalën e Osmanit e ilustroi me një video të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, teksa shpjegonte kompozitën e telit të bakrit në një vizitë në një fabrikë.

Deklarata e zbehtë e Vjosa Osmanit:

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës

Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social.

Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë.

Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.

Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit./Nacionale

Të ngjashme