Është e qartë – Finlanda dhe Suedia duan të anëtarësohen në NATO. Është gjithashtu e qartë se Turqia nuk e dëshiron këtë dhe tani mund të ndodhë që vendi të përjashtohet nga anëtarësimi në Aleancë, transmeton Demokracia.com.
Kolumnisti i CNN-it, David Andelman, deklaroi se tashmë kishte shumë mendime për dëbimin e Turqisë nga NATO, veçanërisht pasi presidenti turk bleu sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400 tre vjet më parë.
Në të njëjtën kohë, ai thotë se një veprim i tillë mund të dobësojë pozicionin e NATO-s në një rajon me rëndësi strategjike, raporton RIA Novosti.
“Pak njerëz duan të rrezikojnë të humbin ushtrinë më të madhe të përhershme pas Shteteve të Bashkuara nga NATO, veçanërisht atë që kontrollon Bosforin strategjik dhe ka dalje në Detin e Zi”, theksoi gazetari i CNN-it.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, thotë se nuk beson se Turqia do të bllokojë hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO, pavarësisht deklaratës së presidentit turk.
Kujtojmë se secili nga 30 shtetet anëtare të Aleancës duhet të japë pëlqimin për hyrjen e Finlandës dhe Suedisë në NATO. Dhe Erdogan qorton dy vendet nordike për treguar butësi ndaj rebelëve kurdë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia e konsideron një organizatë terroriste.
Përveç kësaj, Turqia qorton Suedinë për ndalimin e të gjitha shitjeve të armëve ndaj saj që nga viti 2019, si një masë hakmarrjeje për shkak të operacionit turk në Sirinë veriore.
“Si do t’u besojmë atyre? Suedia përfaqëson një çerdhe për organizatat terroriste… Ne nuk do të dorëzohemi para hyrjes në NATO të atyre që aplikojnë sanksione ndaj Turqisë,” tha presidenti turk.
Megjithatë, Asselborn vuri në dukje se Erdogan dëshiron vetëm të “ngrejë çmimin” e pranimit të dy vendeve. “Në fund të fundit, jam i bindur se Turqia nuk mund ta ndalojë këtë”, tha ministri.
Ndërkohë, foli edhe presidenti finlandez Sauli Ninisto, i cili tha se Finlanda dhe Suedia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje me Turqinë për kundërshtimet e Ankarasë për anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO.
“Deklaratat nga Turqia kanë ndryshuar shumë shpejt dhe janë bërë më serioze në ditët e mëparshme. Por jam i sigurt se me një dialog konstruktiv do ta zgjidhim situatën,” pohon Ninisto, transmeton Reuters. /Demokracia.com/