Lajme
“Turp”, “shkelje kushtetuese”| Çfarë po raportojnë mediat e huaja pasi Qeveria Kurti s’ua rriti pagën veteranëve?
Demokracia
18:20 | 14 Qershor 2022

Share:

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim Ligjin për pagën minimale, duke e rritur kështu nga 170 euro në 250 euro. Me ndihmën e Listës Serbe, ky propozim i Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti mori 86 vota në parlament.

Një vendim i tillë, përveç nga opozita, po kundërshtohet fuqishëm edhe nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjë për të cilën kanë raportuar edhe mediat e huaja si Associated Press dhe Daily Mail, përcjell Demokracia.com.

Këto media, kanë cituar deklaratat e OVL të UÇK-së, të cilët e konsideruan votimin e këtij ligji si “trup” dhe “shkelje kushtetuese”.

Lidhur me këtë, është thirrur edhe protestë gjithëpopullore para Qeverisë Kuvendit e cila pritet që të mbahet të enjten nga ora 09:30, përcjell Demokracia.com.

AP dhe Daily Mail raportojnë se përveç veteranëve, ky vendim i ka nervozuar edhe mësimdhënësit, të cilët po ashtu janë të pakënaqur dhe kanë paralajmëruar për protesta.

Mediat e huaja kanë theksuar se ekonomia e Kosovës është rritur dukshëm gjatë dekadës së fundit, por pavarësisht kësaj, mbetet ende një prej shteteve më të varfra në Evropë.

Ndërkohë, në seancën e sotme, kryeparlamentari Glauk Konjufca konfirmoi se nuk do të ketë më debat për pagën minimale dhe se këtë çështje nuk do ta diskutojnë edhe një herë.

Partia Demokratike e Kosovës e ka bojkotuar seancën për votimin e këtij projektligji, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte propozuar që paga minimale të rritet në 370 euro, përcjell Demokracia.com.

Lidhur me këtë projektligj, Konjufca ka bërë të ditur sot se pas votimit, Kuvendi ngarkon komisionin funksional dhe komisionet e përhershme që në afatin e paraparë me rregulloret e Kuvendit të shqyrtojnë projektligjin dhe të paraqesë raportin me rekomandime.

Komisioni funksional, sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, raportin me rekomandime për projektligjin duhet ta paraqesë brenda dy muajve – nga shqyrtimi i parë. Në raste të veçanta, sipas rregullores, komisioni mund të kërkojë nga Kuvendi afat shtesë, deri në një muaj, për ta paraqitur raportin.

Komisioni funksional – raportues, pasi e përfundon shqyrtimin, Kuvendit ia paraqet raportin me rekomandime së paku pesë ditë pune para shqyrtimit të dytë në mbledhje plenare.

Në raport, sipas rregullores së Kuvendit, përfshihet edhe mendimi i komisioneve të përhershme, si dhe deklarimi për amendamentet e propozuara nga deputeti, nga komisioni, nga Grupi Parlamentar apo nga Qeveria./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme