Lajme
Turizmi arrin rekord, 5.2 milionë shtetas të huaj hynë në Shqipëri këtë 7-mujor
Demokracia
19:58 | 25 Gusht 2023

Share:

Hyrjet e shtetasve të huaj kanë arritur nivele rekord në 7-mujorin e këtij viti duke treguar për një rritje të ndjeshme të aktivitetit të turizmit në vend.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se për periudhën janar-korrik 2023, në vend kanë hyrë gjithsej 5.167.656 shtetas të huaj. Ky numër është rritur me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Në korrik 2023, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 766.117. Ky numër është rritur me 26,1 %, krahasuar me korrik 2022.

Ndërsa, daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2023 janë 710.711. Krahasuar me korrik 2022, ky tregues është rritur me 27,8 %.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2023, janë 1.440.037. Krahasuar me Korrik 2022, ky tregues është rritur me 9,6 %.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë 7-mujorit 2023, është 3.734.813, duke u rritur me 21,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

Sipas INSTAT, në Korrik 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.694.657 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Lindja e Mesme, përkatësisht me 45.821 dhe 14.805 shtetas.

Në Korrik 2023, krahasuar me Korrik 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur: për qëllime personale me 26,0 %; për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 22,8 %;  për biznes dhe qëllime profesionale me 63,3 %.

Të ngjashme