Lajme
Turi ballkanik i Ramës | Në Prishtinë s’e priti Kurti, në Sarajevë njeriu i Dodikut
Demokracia
14:35 | 07 Korrik 2023

Share:

Kryeministri shqiptar, Edi Rama në kuadër të turit ballkanik, është takuar këtë të premte me anëtarin e Presidencës së Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviq .

“Sarajevë – Takim me anëtarin e Presidencës së Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Bećirović 🇦🇱🤝🇧🇦”, ka shkruar Rama.

Por, njëjtë sikur në Prishtinë që nuk u prit nga kryeministri Albin Kurti, në Sarajevë me Ramën nuk pranoi të takohet përfaqësuesja e serbëve të Bsonjës, Zheljka Cvijanoviq, e afërt me Millorad Dodikun, i sanksionuar nga SHBA, shkruan Demokracia.com.

Rama u takua po ashtu edhe kryetaren e Këshillit të Ministrave në Bosnjë dhe Hercegovinë, Borjana Kristo.

Kryeministri Rama ka thënë se nuk është sekret që Shqipëria mbron interesat e Republikës së Kosovës.

“Nuk është sekret se Republika e Shqipërisë mbron edhe interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe në vendet tjera, dhe ne jemi shumë të interesuar që marrëveshjet e Procesit të Berlinit, në radhë të parë marrëveshja për lëvizjen e lirë me kartë identiteti për qytetarët shqiptar të Republikës së Kosovës të mundësohet, sepse është e pakuptimtë që ne të kemi problematika të kësaj natyre e që zbresin deri në nivelin e qytetarëve, ndërkohë që politika duhet të shërbejë të gjithë qytetarëve epa dallim”, ka thënë Rama.

Ai tha se ka ardhur në Sarajevë për të informuar kryetaren e Këshillit të Ministrave për Procesin e Berlinit në Tiranë në tetor të këtij viti.

“Shpresoj që Bosnja dhe Hercegovina të nënshkruajë një marrëveshje të tillë sipas modelit të Serbisë. Në tetor në Tiranë duhet të mbajmë një qëndrim të përbashkët për të gjitha çështjet që na shqetësojnë dhe të ngremë çështje që na shqetësojnë të gjithëve së bashku”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, gjatë turneut të tij nëpër kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, më parë ka vizituar Shkupin dhe Prishtinën, ndërsa pas Sarajevës do të shkojë në Podgoricë dhe Beograd.

Turneu i Ramës në Ballkan synon të informojë vendet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur Samitin e Procesit të Berlinit.

Rama tha gjithashtu se Shqipëria dëshiron të forcojë bashkëpunimin mes atij vendi dhe Bosnje-Hercegovinës dhe se po punohet për hapjen e një ambasade të Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë.

Krishto nga ana e saj tha se ata diskutuan për “marrëdhënie të mira dhe miqësore midis Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë”.

“Nuk kemi çështje të hapura. Ne theksuam bashkëpunimin rajonal dhe mbetemi të përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit”, tha Krishto. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024