Lajme
“Tupanit” të luftës me Serbinë i bie edhe Maqedonci: Rreziku është real, 48 baza operacionale serbe përgjatë kufirit me Kosovën
Demokracia
21:39 | 27 Dhjetor 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani vazhdimisht po i terrorizojnë qytetarët me paralajmërime për sulme të reja mbi Kosovën.

Kurti, Osmani e Sveçla kanë paralajmëruar sulme të reja si ai i Banjkës në veri të Kosovës.

Qëndrimin e tyre e përsëriti edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 CNN.

Maqedonci theksoi se Kosova vijon të mbetet e kërcënuar jo vetëm nga sulme si ai i Banjskës, por edhe nga qasja hegjemoniste e institucioneve të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Ai solli në vëmendje se tri nga katër brigadat e ushtrisë serbe janë të vendosura përgjatë kufirit jugor të këtij shteti, në zonën kufitare me Kosovën.

“Këto 3 brigada kanë një tejzgjatje operacionale përgjatë kufirit me Kosovën. Kjo tejzgjatje paraqitet përmes vendosjes së 48 bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandamërisë gjatë gjithë vijës kufitare”, tha ai.

Ministri theksoi se kjo prezencë e ushtrisë serbe përbën rrezik jo vetëm për Republikën e Kosovës, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Ndodhen aty prej vitesh, por janë aty për të kërcënuar sovranitetin, integritetin territorial të vendit tonë. E kanë shumë të lehtë grupet e armatosura të futen në territorin e Kosovës. Një sinkronizim me qëllim të zhvillimit të një lufte hibride në raport me Kosovën”, shtoi ai.

Megjithatë, Maqedonci theksoi se masat nga ana e Kosovës janë marrë.

“Në dy vite kemi një shtrirje të rendit dhe ligjit në veri të vendit. Kjo shtirje është bërë se kemi pasur informacione të vazhdueshme për tentativa të destabilizimit nga organizata terroriste”, tha Maqedonci.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes, i gjithë territori në veri është krehur nga policia, teksa shtoi se Kosova ka shtrirje të inteligjencës thellë në atë zonë. /Demokracia.com/

Të ngjashme