Trajneri i Bayern Munichut, Thomas Tuchel, i ka dhënë ekipit të tij disa ditë pushimi për t’u qetësuar pas tri humbjeve rresht.
Bayerni janë duke përjetuar një formë makthi e cila i ka dëmtuar seriozisht shpresat e tyre për të fituar trofe këtë sezon.
Sidoqoftë, pas humbjes shokuese ndaj Bochumit të dielën, Tuchel ka marrë një vendim kyç dhe iu ka dhënë lojtarëve të tij disa ditë pushimi për të qenë pranë familjeve të tyre, ka raportuar Kerry Hau.
Lojtarët nuk do të kthehen në stërvitje deri të mërkurën, kur do të nisin përgatitjet për duelin ndaj Leipzigut që do të luhet të shtunën në “Allianz Arena”.
Bayerni momentalisht është tetë pikë mbrapa Leverkusenit në Bundesliga pas humbjes së fundit ndaj Bochum.
Të besuarit e Tuchel janë në telashe edhe në Ligën e Kampionëve pas humbjes me rezultat 1-0 ndaj Lazios në ndeshjen e parë të fazës së 1/8 së finales që u luajt në Itali.