Lajme
Tubimet në kohë pandemie, AAK dhe NISMA gjobiten me nga 2000 euro
Demokracia
15:38 | 19 Janar 2021

Share:

Drejtori i Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri, ka konfirmuar se janë shqiptuar gjoba me nga dy mijë euro për AAK-në dhe NISMËN, parti këto që veç se kanë nisur tubimet në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social Facebok ka publikuar disa fotografi, përmes të cilave ka treguar se dy partitë në fjalë kanë marrë gjoba nga dy mijë euro, raporton Demokracia.com

“Askush mbi ligjin!  Vazhdojmë me shqiptimin e gjobave për subjektet politike që organizojnë tubime në kundërshtim me vendimet qeveritare dhe ligjet në fuqi.  Inspekcioni i Rendit Komunal po angazhohet në identifikimin dhe marrjen e masave ndaj secilit subjekt – shkelës të ligjit – brenda territorit të Kryeqytetit. Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, vlen për të gjithë!”, ka shkruar ai.

Askush mbi ligjin!

Vazhdojmë me shqiptimin e gjobave për subjektet politike që organizojnë tubime në kundërshtim me…

Posted by Adonis Tahiri on Tuesday, January 19, 2021

Kujtojmë se Demokracia.com gjatë ditës së sotme ka pyetur policinë e Kosovës lidhur me mobilizimin rreth tubimeve që po bëhen nga partitë politike.

Policia në përgjigjen e saj ka bërë të ditur se ka shqiptuar tiketa ndaj të gjithë personave që nuk respektuan masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës.

“Policia e Kosovës, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë angazhimet policore në zbatim të ligjit NR. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, ku në tërë territorin e Republikës së Kosovës nga data – 26.08.2020 deri më datën 17.01.2021 janë shiptuar 118.337 fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit ndaj personave pa dallime për moszbatim të masave ndaj pandemisë Covid-19.”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Tutje, nga ky institucion është thënë se mbesin të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive, si dhe në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike./Demokracia.com

 

Të ngjashme