Lajme
Trusti: Tërheqja e mjeteve të jetë hapi i fundit që duhet të shqyrtohet
Demokracia
11:48 | 30 Mars 2022

Share:

Fondi i Kursimeve Pensionale ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare dhe ndikimi i tyre në kursimet e qytetarëve.

Përfaqësues të Fondit Pensional të Kosovës thanë se kanë arritur të rikuperojnë një pjesë të investimeve që pësuan rënie në muajin shkurt, për shkak të krizës botërore ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë.

E për propozimin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti për qytetarët, si iniciativë nga deputetët e PDK-së për tejkalim të krizës me çmimet e larta, ata kanë thënë se janë të gatshëm të përmbushin çfarëdo vendimi që sjell Kuvendi, por kanë vlerësuar se ky duhet të jetë vetëm hapi i fundit që duhet të shqyrtohet si mekanizëm për situata emergjente.

“Si institucion nuk duam të përfshihemi në debate politike. Mbetet përgjegjësi e kuvendit si do ta trajtojë këtë çështje për fondet. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar në implementimin e vendimeve që sjellë kuvendi”, tha ai.

Ruzhdi Morina, kryesues i Bordit Drejtues të Fondit Pensional, ka thënë se kriza e fundit ka ndikuar në performancën e investimeve, por pas humbjeve në dy muajt e parë të vitit, në mars ka nisur këndellja dhe se “trendi pozitiv është duke vazhduar”.

Ai ka thënë se në muajin shkurt investimet ndërkombëtare pësuan rënie prej rreth 90 milionë euro në investimet e Trustit, kthimi i investimeve ka ulur humbjet në rreth 50 milionë euro.

E drejtori i Trustit, Adrian Zalli, tha se për momentin Trusti ka mbi 2.2 miliardë para.

“Nëse shikojmë performancën e tregjeve, ne kemi pasur performancë të mirë pritjet për 3 muaj janë vështirë të cilësohen por jemi të pozicionuar mirë për t’i dalë ballë problemeve. Rikuperimi ka marrë 2 vjet dhe e njëjta ka qenë edhe në tregjet financiare. Gjysma e rikuperimit vetëm ka ndodhur mirëpo si do të zhvillohen tash e tutje pritet të shikohen. Mbi 2.2 miliardë totali i parave aktuale në trust”, tha ai.

“Që nga themelimi kemi performancë pozitive me 68 për qind. Kemi thënë se vitit 2022 pritet të jetë i vështirë në kuptimin ekonomik në shportën bazë të konsumit. Lufta në Ukrainë ishte një faktor tjetër. Duke pas parasysh rënien e indekseve atëherë në mars kemi bërë rikthim të investimeve 28.3%”.

“Me qëllim të mbrohen pensionistët bordi ka themeluar edhe protofolio investimesh. Me vendimin investuese dhe krijimin e portofolis kemi arritur t’i mbrojmë kontribuuesit nga këto rënie. Sa i përket tronditjeve një pjesë e madhe e tyre është rikuperuar dhe jemi fokusuar në investime”. Në muajt në vijim kjo do të shpërblehet. Do të jetë vit tejet sfidues për ne. Tronditjet e shkurtit janë rikuperuar. Aktualisht kemi 25% kthim në secilën llogari”, tha ai.

Tutje tha se viti i shkuar ka qenë vit me vlerën më të lartë të kthimit të investimeve në histori, me 227 milionë euro. Nga fillimi i funksionimit të Trustit, kthimi i investimeve ka qenë mbi 720 milionë euro.

Të ngjashme