Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, sot bëri homazhe në fshatin Raçak, me rastin e 22 vjetorit të masakrës së Raçakut, shkruan Demokracia.com
Ai tha se trupat e të vrarëve nuk do të prehen të qetë, derisa kryerësit e krimeve nuk e marrin dënimin e merituar, duke shtuar se drejtësia vonon, por ajo do të vendoset.
“Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa derisa ata që i kanë kryer këto vepra, nuk e marrin dënimin e merituar. E kam parasysh që drejtësia nganjëherë vonon, por jam i bindur që do të vendoset, një herë e përgjithmonë”,tha Hoti.
Hoti tha se kjo ngjarje ka sensibilizuar botën për terrorin dhe vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë.
“Fillimi i vitit është i dhimbshëm për shumë familje, për të dashurit e tyre , por ky vend është më i veçantë. Ngjarja që ka ndodhur këtu e ka sensibilizuar botën mbarë, për gjendjen, terrorin, vrasjet që në atë kohë ndodhnin në Kosovë me vite të tëra por që kanë kulmuar në këtë ditë,” deklaroi Hoti/Demokracia.com