Lajme
Trupat britanike patrullojnë kufirin Kosovë-Serbi pasi tensionet mbeten të larta
Demokracia
13:41 | 25 Nëntor 2023

Share:

Trupat britanike po patrullojnë kufirin Kosovë-Serbi në kuadër të një pranie paqeruajtëse të NATO-s që po forcohet mes shqetësimeve se ish-armiqësitë prej kohës së luftës mund të kthehen në konflikt të hapur pas një serie incidentesh të dhunshme në muajt e fundit.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut dërgoi qindra forca shtesë në Kosovë nga Britania dhe Rumania pas një beteje midis autoriteteve të Kosovës dhe serbëve të armatosur të strehuar në një manastir që e ktheu një fshat të qetë në veri të Kosovës në një zonë lufte më 24 shtator.

Një polic dhe tre persona të armatosur u vranë në fshatin Banjskë në atë që konsiderohet si dhuna më e keqe që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova.

Kosova akuzoi Serbinë për mbështetje financiare dhe praktike për personat e armatosur, gjë që Beogradi e mohon.

NATO ka dërguar 1,000 trupa shtesë në rajon, duke e çuar praninë e saj në 4,500 paqeruajtës nga 27 vende.

Ushtarët britanikë tani janë duke u vendosur në ndërrime 18-orëshe në kushte ngrirjeje për t’u siguruar që asnjë armë apo grup i armatosura të mos hyjnë në Kosovë.

“Aktualisht ne jemi këtu në një patrullë rutinore, e cila konsiston në kuptimin e modeleve të jetës, marrjen e inteligjencës për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë që më pas i kthehet KFOR-it (misioni i NATO-s) dhe më lart”, tha për Reuters togeri Joss Gaddie nga Ushtria Britanike në kufirin me Serbinë.

Gjatë një vizite të hënën në Ballkanin Perëndimor, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se organizata po shqyrton nëse nevojitet një rritje më e përhershme e forcave “për të siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë një konflikt të ri të dhunshëm në Kosovë ose në rajonin më të gjerë”.

Kosova, e cila ka një shumicë etnike shqiptare, shpalli Pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas një kryengritjeje guerile dhe një ndërhyrje të NATO-s në vitin 1999.

Rreth 5 për qind e popullsisë në Kosovë janë serbë etnikë, gjysma e të cilëve jetojnë në veri dhe refuzojnë të njohin Pavarësinë e Kosovës, ata shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre. Ata janë përplasur shpesh me policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë.

Për më shumë se dy dekada, shumë serbë etnikë kanë refuzuar të regjistrojnë automjetet me targa të Kosovës, duke përdorur sistemin e tyre në vend të kësaj, i cili shihet si i paligjshëm nga Prishtina.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka caktuar një afat deri më 1 dhjetor për rreth 10,000 automobilistë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa të Kosovës ose do të përballen me dënime të rënda. Një kërkesë e ngjashme shkaktoi dhunë vitin e kaluar.

Të ngjashme