Lajme
Trumpi i fiton zgjedhjet partiake edhe në Dakotën e Veriut para “Super të Martës”
Demokracia
09:08 | 05 Mars 2024

Share:

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili po synon që të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, të hënën e fitoi garën brenda Partisë Republikane në Dakotën e Veriut, sipas parashikimit të kompanisë hulumtuese “Edison Research”, para një vargu garash të njohura si “Super e Marta”, kur ai pritet që ta fuqizojë edhe më shumë pozitën e favoritit për ta siguruar nominimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Në Dakotën e Veriut, Trumpi e mposhti zonjën Nikki Haley, që është rivalja e vetme e mbetur e Trumpit në garën për nominimin e Partisë republikane. Trumpi pritet të mbizotërojë edhe në zgjedhjet e së martës, kur në 15 shtete dhe në një territor amerikan votohet në ditën më të madhe të garës deri më tani, raporton agjencia “Reuters”.

Ish-ambasadorja në OKB, Haley, e fitoi garën e parë partiake të dielën, në Uashington D.C., por nuk ka rrugë të qartë drejt nominimit në një periudhë garash kur Trumpi i ka fituar tetë shtetet e para ku janë mbajtur zgjedhjet dhe pritet që t’i fitojë edhe gati të gjitha të tjerat që kanë mbetur.

Pritet që zgjedhjet e nëntorit të sjellin një riballafaqim mes miliarderit Trump dhe presidentit të tanishëm amerikan, Joe Biden.

Të ngjashme