Lajme
Trumpi e fiton me lehtësi garën e parë para zgjedhjeve në ShBA
Demokracia
08:18 | 16 Janar 2024

Share:

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka fituar garën e parë zgjedhore të vitit 2024 në ShBA, duke mposhtur me lehtësi disa kundërkandidatë republikanë në Iowa.

Agjencia “Associated Press” e shpalli shpejt të mbyllur garën, duke e deklaruar fitoren e Trumpit, përderisa ekipet ishin ende duke i numëruar votat. Kjo ishte shenjë se miliarderi kishte epërsi të madhe në garë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ne ishim vend i mrekullueshëm para tri ditëve dhe tani jemi vend në rënie”- tha ai, duke folur para përkrahësve, pasi rezultatet e konfirmuan fitoren e tij. Ai pastaj dha një varg premtimesh, të cilat do t’i përmbushte në rast të fitores në zgjedhjet presidenciale, përfshirë shtimin e nxjerrjes së naftës dhe imunitetin e plotë për policë.

Gara për vendin e dytë ishte shumë më e ngushtë. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, fitoi në garë me Nikki Haley-n.

Sipas një vlerësimi të hershëm, 100 mijë anëtarë të Partisë Republikane votuan të hënën, sipas kryetarit të partisë në Iowa, Jeff Kaufmann – dukshëm më pak se pjesëmarrja në vitin 2016.

Votuesit të hënën u mblodhën në shkolla, biblioteka, qendra të komuniteteve për të debatuar, por moti i ashpër nënkuptoi që ata u ballafaquan me temperatura nën zero, erë të fortë e reshje bore. Shumë prej tyre nuk kishin qasje në qendra për shkak të bllokimit të rrugëve e pengesave të tjera.

Arsyeja e fermerit të pensionuar, Ron Osborn, për mbështetjen e Trumpit, i cili fitoi më së shumti vota në Malcolm, ishte e thjeshtë. “Mendoj se ai është i vetmi që mund të mposhtë demokratët mashtrues”– tha burri 73-vjeçar.

Ata që votuan kandidatë të tjerë thanë se ishin të lodhur nga kaosi i Trumpit dhe se dëshironin që të lëviznin përpara pa zhurmën e llojit të tij të politikës.

Kent Christen, i cili e përkrahur guvernatorin DeSantis, për Trumpin tha: “Kaosi e ndjek atë. Ai është si një instrument i kaosit. Jam disi i lodhur me tërë këtë. Kjo është arsyeja më e madhe pse jam lodhur me të.”

Të ngjashme