Lajme
Trump zbulon masat që do merrte po të ishte president: Do dërgoja nëndetëset bërthamore në brigjet e Rusisë
Demokracia
23:59 | 21 Mars 2022

Share:

Donald Trump duket se e ka lënë të acaruar prezantuesin e Fox Business, Stuart Varney, pas një interviste të dhënë të hënën, gjatë së cilës të dy u përplasën në lidhje me ndihmën që SHBA-të i kanë ofruar Ukrainës.

Gjatë një lidhjeje telefonike me emisionin, Trump theksoi se lufta në Ukrainë nuk do të kishte filluar kurrë nën administratën e tij.

Ai gjithashtu pohoi se do të kërcënonte Rusinë me nëndetëse bërthamore nëse do të ishte ende president dhe do t’i thoshte Vladimir Putinit se nëndetëset do të lundronin lart e poshtë brigjeve të Rusisë.

Megjithatë, ish-presidenti nuk ishte i qartë kur prezantuesi e pyeti saktësisht se çfarë do t’i siguronte Ukrainës dhe që presidenti Biden nuk e ka bërë.

“Ka një diskutim nëse ne duhet të dërgojmë avionë MiG për të ndihmuar Forcën Ajrore të Ukrainës. A do të dërgonit një ndihmë të tillë?’ e pyeti Varnei.

Por Trump nuk dha një përgjigje konkrete duke thënë: ‘Epo ndoshta edhe më shumë, të jem i sinqertë me ju.’

Trump nisi një përgjigje të spërdredhur për mizoritë në Ukrainë, të cilat ai i quajti një ‘tragjedi njerëzore’, pa shkuar më tej nëse do të dërgonte avionë apo jo.

“Më lejoni të shpjegoj vetëm se Putini po thotë gjëra të tilla si, “Mos guxo të dërgosh asgjë”. Ndërkohë ai po vret mijëra e mijëra njerëz. Pra, ai po sillet sikur ne jemi agresorë nëse dërgojmë një aeroplan të vjetër 44-vjeçar dhe ai po sillet sikur ne jemi njerëz të tmerrshëm nëse e bëjmë këtë. Por ai po vret dhjetëra mijëra njerëz, shumë më tepër sesa raportojnë ata”, u përgjigj Trump.

Të ngjashme