Lajme
Trump thotë se nuk ka “asnjë synim për të shkarkuar” shefin e Bankës, Jerome Powell
Demokracia
10:46 | 23 Prill 2025

Share:

Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk ka “asnjë synim për ta shkarkuar” Jerome Powell, pas kritikave të përsëritura ndaj kreut të Rezervës Federale (sistem bankor në SHBA).

Megjithatë, ai shtoi se do të donte që Powell të ishte “pak më aktiv” sa i përket uljes së normave të interesit, sipas BBC News.

Duke folur në Zyrën Ovale të martën, Trump tha gjithashtu se është optimist për përmirësimin e marrëdhënieve tregtare me Kinën.

Javën e kaluar, presidenti i ashpërsoi kritikat ndaj kreut të Bankës Qendrore, duke e quajtur atë “një dështak të madh”. Këto komente shkaktuan një rënie të aksioneve, obligacioneve dhe dollarit amerikan, por tregjet financiare që atëherë kanë filluar të rikuperohen.

Deklaratat e fundit erdhën pasi drejtori i Këshillit Kombëtar Ekonomik, Kevin Hassett, tha të premten se Trump po shqyrtonte nëse do të ishte e mundur të shkarkonte Powell-in.

Gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Trump e emëroi Powell-in në krye të bankës qendrore në vitin 2017. Më pas, Presidenti Joe Biden e emëroi atë për një mandat të dytë katërvjeçar në fund të vitit 2021.

Deri më tani këtë vit, banka qendrore nuk ka ulur normat e interesit, pas një uljeje prej një përqindjeje në fund të vitit të kaluar, një qëndrim që Trump e ka kritikuar fort.

Nuk është e qartë nëse Trump ka autoritetin për ta shkarkuar kreun e Rezervës. Asnjë president tjetër amerikan nuk ka tentuar ta bëjë një gjë të tillë.

Gjithashtu të martën, Trump tha se do të ishte “shumë i sjellshëm” në negociatat me Pekinin dhe tarifat do të binin nëse arrihet një marrëveshje, por jo në “zero”.

Më herët, Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, raportoi se priste një de-përshkallëzim të luftës tregtare me Kinën, duke e përshkruar situatën aktuale si të paqëndrueshme.

Të ngjashme