Sport
Trump sugjeron që Rusia duhet të luajë në Kupën e Botës 2026 si ‘nxitje’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Demokracia
17:37 | 07 Maj 2025

Share:

Rusia është përjashtuar në mënyrë efektive nga FIFA dhe UEFA që nga pushtimi i Ukrainës.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka pohuar se pjesëmarrja e Rusisë në Kupën e Botës FIFA 2026 mund të ofrojë një “nxitje” për kombin që t’i japë fund luftës në Ukrainë.

Rusia është përjashtuar në mënyrë efektive nga garat e klubeve dhe ekipeve kombëtare të FIFA-s dhe UEFA-s në të gjitha nivelet që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022.

Trump u pyet në lidhje me pjesëmarrjen e mundshme të Rusisë në Kupën e Botës të vitit të ardhshëm, e cila do të bashkëorganizohet nga SHBA-të, Kanadaja dhe Meksika.

Duke folur së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, në takimin e parë të grupit të tij të punës për Kupën e Botës, Trump pranoi se nuk ishte në dijeni se Rusia është përjashtuar nga turneu.

“Nuk e dija këtë, apo jo?”, tha Trump, duke u kthyer nga Infantino, duke shtuar: “Ai është shefi, unë nuk jam shefi për këtë”.

“Kështu është”, u përgjigj Infantino. “Ata janë të ndaluar të luajnë për momentin, por shpresojmë që të ndodhë diçka dhe të vendoset paqja në mënyrë që Rusia të mund të ripranohet”.

Trump tha: “Kjo është e mundur. Kjo mund të jetë një nxitje e mirë, apo jo?”.

“Ne duam t’i ndalojmë. Ne duam që të ndalojnë. Pesë mijë të rinj vriten çdo javë, nuk është as e besueshme, kryesisht ushtarë rusë dhe ushtarë ukrainas”.

“Gjëra të tmerrshme po ndodhin atje, ne do ta ndalojmë atë luftë”, theksoi Trump-i.

Rusia aktualisht nuk është në gjendje të marrë pjesë në turneun e verës së ardhshme, pasi nuk është pjesë e procesit kualifikues.

Kualifikueset evropiane për Kupën e Botës filluan zyrtarisht në mars, me 16 vende të ofruara në turne.

Një numër i grupeve ende nuk kanë luajtur ndeshje për shkak të takimeve të Nations League që zhvillohen gjithashtu gjatë të njëjtit pushim ndërkombëtar.

Duke folur në mars, Infantino kishte shprehur dëshirën për ta rikthyer Rusinë në radhët e FIFA-s, duke sugjeruar se kjo do të ishte një shenjë se lufta kishte mbaruar.

“Ndërsa bisedimet për paqen në Ukrainë po vazhdojnë, shpresoj që së shpejti të kalojmë në fazën tjetër dhe ta rikthejmë Rusinë në peizazhin e futbollit, sepse kjo do të thoshte se gjithçka është zgjidhur”, tha Infantino.

“Kjo është ajo për të cilën duhet të brohorasim, kjo është ajo për të cilën duhet të lutemi, sepse kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë në futboll”, shtoi kreu i FIFA-s.

Edhe pse është përjashtuar nga garat e UEFA-s dhe FIFA-s, ekipi kombëtar i Rusisë ka luajtur ndeshje miqësore.

Të ngjashme