Lajme
Trump sfidon Kinën përmes Tajvanit: SHBA drejt shitjeve rekord të armëve për ishullin
Demokracia
10:33 | 30 Maj 2025

Share:

Sipas dy zyrtarëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara janë duke planifikuar që të rrisin shitjet e armëve ndaj Tajvanit në një nivel që mund të kalojë shitjen që është bërë në mandatin e parë të presidentit Donald Trump.

Si pjesë e një përpjekje për të frenuar Kinën, e cila vazhdimisht shkon duke e shtuar presionin ndaj ishullit demokratik, Reuters shkruan nëse shitjet e armëve pëshpejtohen, kjo mund të qetësojë shqetësimet e popullit të Tajvanit për angazhimin e Trump ndaj ishullit, megjithatë do të shtonte edhe më shumë tensionet mes SHBA-së dhe Kinës.

Zyrtarët, kanë thënë se presin që miratimet e SHBA-së për shitje armësh ndaj Tajvanit gjatë katër viteve të ardhshme të tejkalojnë ato të mandatit të parë të Trump. Po ashtu, ata kanë shtuar se Shtetet e Bashkuara po ushtrojnë presion ndaj anëtarëve të partive opozitare në Tajvan që të mos kundërshtojnë përpjekjet e qeverisë për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 3% të prodhimit të brendshëm bruto të ishullit.

Sipas Reuters, në mandatin e kaluar, Trump miratoi shitje armësh për Tajvanin në vlerë rreth 18.3 miliardë dollarë, krahasuar me rreth 8.4 miliardë që u miratuan mandatit të Joe Biden.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara mbeten mbështetësi dhe furnizuesi më i rëndësishëm i armëve për Tajvanin, edhe pse nuk ekzistojnë lidhje diplomatike formale mes dy palëve.

Megjithatë, shumë qytetarë në Tajvan – të cilin Kina e pretendon si pjesë të territorit të saj – janë të shqetësuar se Trump mund të mos jetë po aq i përkushtuar ndaj mbrojtjes së ishullit sa presidentët e mëparshëm amerikanë. Kjo vjen pasi gjatë fushatës elektorale Trump sugjeroi se Tajvani duhet të paguajë për mbrojtjen që merr dhe e akuzoi ishullin se po i vjedh Amerikës biznesin e gjysmëpërçuesve, duke shkaktuar alarm në Taipei.

Në anën tjetër, Kina vazhdon të thotë se do të “ribashkohet” me Tajvanin, nëse është e nvojshme edhe me forcë. Por, qeveria e Tajvanit i refuzon pretendimet e sovranitetit të Pekinit, duke deklaruar se vetëm populli i ishullit mund të vendosë për të ardhmen e tij.

Të ngjashme