Lajme
Trump sërish president, Krasniqi: Institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes në raport me ShBA-të
Demokracia
17:56 | 19 Janar 2025

Share:

Nesër më 20 janar, do të bëhet inaugurimi i presidentit të 47-të të ShBA-së Donald Trump.

Trump kthehet sërish në “Shtëpinë e Bardhë”, pas mandatit që kishte 2016-2020.

Nën presidencën e tij, u arrit edhe “Marrëveshja e Washingtonit”, e cila u nënshkrua asokohe nga kryeministri i Kosovës Avullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku Kosova arriti ta marrë një njohje shumë të madhe nga ana e Izraelit, njofton Klankosova.tv

Çka do të thotë rikthimi i Trump për Kosovën?

Si do të jenë raportet kosovaro-amerikane?

Rreth kësaj dhe shumë çështjeve të tjera u diskutua sot në emisionin javor në Klan Kosova, Info Magazine.

Albert Krasniqi, nga Demokracia Plus tha se ky është një mesazh se institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë më të kujdesshme në veçanti në raport me Shtetet e Bashkuar të Amerikës.

“Për shkak se z. Trump nuk është një person i cili bazohet shumë në të kaluarën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon një veprim konkret dhe përkushtim të të dyja palëve”, tha ai.

Ai përmendi edhe faktin se presidenti në largim i ShBA-së, Joe Biden, ka qenë i njohur për situatën në Kosovë dhe dhunën që e kishte përdorur regjimi i Sllobodan Millosheviqit, gjë që sipas tij Donald Trump nuk e ka.

“Në këtë drejtim palë duhet të jenë shumë më të kujdesshme gjuhën që e përdorin dhe masat që i ndërmarrin të cilat duhet të jenë më proaktive dhe vërtetë të kërkojnë një zgjidhje përmes dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.

Në inaugurimin e presidentit Donald Trump, do të marrë pjesë edhe afaristi i njohur Shkëlqim Devolli. Ai deri më tani ka zhvilluar takime me pjesëtarë të rëndësishëm nga ekipi i Trump.

Afaristi i njohur kosovar e ka takuar edhe drejtorin në ardhje të CIA-s, John Ratcliffe.

Të ngjashme