Projekti për ndërtimin e hotelit Trump International në Beograd pritej të ishte një “punë e lehtë” për familjen e presidentit amerikan, Donald Trump, por ndodhi një kthesë e papritur, dhe Der Spiegel sugjeron se kjo mund të jetë një formë hakmarrjeje nga ana e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Ky medium gjerman në fillim të artikullit thekson se dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ishte drejtues i projektit që përfaqësonte një “shenjë vullneti të mirë” nga regjimi i Vuçiqit në Serbi, me ndërmjetësimin e Richard Grenellit, ish-ambasador amerikan në Gjermani dhe i dërguar special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë qëllim, shkruan Der Spiegel, regjimi i Vuçiqit madje ndryshoi statusin e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm – ish-zyrës qendrore të ministrisë së mbrojtjes së Serbisë, e cila ishte shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s.
Megjithatë, ndodhi një kthesë kur Zoran Vasiq, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Serbi, pranoi se dokumenti me të cilin ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm i ishte hequr statusi i monumentit kulturor ishte i falsifikuar.
Der Spiegel më tej pohon, duke cituar politikanë opozitarë në Serbi, se kjo mund të jetë një formë hakmarrjeje e Vuçiqit ndaj familjes Trump.
Sipas kësaj teorie, kjo lidhet me vizitën e Vuçiqit në SHBA, ku ai kishte shpresuar të takohej me presidentin amerikan, por përfundimisht ishte kthyer papritur në Serbi për shkak të “problemeve shëndetësore”, pa realizuar takimin me Trumpin.
Edhe pse Vuçiq publikisht ka deklaruar se “nuk ka pasur asnjë falsifikim”, Der Spiegel shkruan se “është e vështirë të besohet” që diçka e tillë të ndodhë në një vend të mbushur me korrupsion, ku lideri ka pothuajse pushtet të pakufizuar.
Megjithatë, Der Spiegel gjithashtu përmend një skenar të mundshëm sipas të cilit “Vuçiq po humbet kontrollin”, nën presionin e protestave studentore që, ndër të tjera, kanë kërkuar edhe ndalimin e ndërtimit të hotelit të Trump në vendin ku ndodhet ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm.
Thuhet gjithashtu se ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm për familjen Trump, gjë që dëshmohet nga fakti se Donald Trump Jr., djali më i madh i presidentit amerikan, ka vizituar Beogradin tri herë dhe çdo herë është takuar me Vuçiqin, të cilin madje e ka pritur edhe në podcastin e tij.