Lajme
Trump kundër Biden| Sipas një sondazhi të ri fiton ish-presidenti
Demokracia
19:44 | 08 Maj 2023

Share:

Një kandidat “i pashmangshëm” i të djathtës për shkak të pafundësisë së bërthamës së fortë të mbështetësve të tij, Donald Trump, siç dihet, nuk është i dashur nga shumë liderë republikanë, nga donatorët e mëdhenj të partisë dhe nga të moderuarit.

Ka shumë konservatorë të bindur se “The Donald” do t’i çojë ata në humbjen e katërt radhazi (pas mandatit të mesëm të 2018-ës, zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës dhe dështimit për të rimarrë kontrollin e Senatit nëntorin e kaluar).

Demokratët, duke u përballur me një tjetër kandidat “të pashmangshëm”, presidentin aktual, sinjalizojnë pakënaqësinë e tyre në sondazhe, por shumica mendojnë se, për rrjedhojë, progresistët, centristët dhe madje edhe të pavarurit, do të ulin hundën dhe do të votojnë për Joe Biden për të shmangur një tjetër presidencë të Trumpit.

E gjithë kjo është e vërtetë, por sondazhet e reja që tregojnë për një rënie të mëtejshme të mprehtë të popullaritetit të Biden dhe një rritje të dukshme të synimeve për të votuar Trumpin, lënë hapësirë ​​për një shkallë të lartë pasigurie.

Gjithashtu, sepse askush nuk mund të thotë sot se si do të ndikojë “faktori Robert Kennedy Jr” në votimin e nëntorit 2024.

Sondazhi që dënon Biden (por 18% janë të pavendosur)

Me sa duket, sondazhi i opinionit nga gazeta “The Washington Post” dhe rrjeti televiziv ABC, është një dënim pa apel për Biden, vlerësimi i miratimit të të cilit bie nga 42, në tashmë 36 për qind.

Problemi i vërtetë, megjithatë, vjen nga synimet e votimit: 44% Trump, 38% Biden dhe 18% të pavendosur.

Me gjysmën e këtyre të fundit që thonë se anojnë nga Trump në krahasim me 42 që anojnë nga presidenti aktual.

Shtëpia e Bardhë e ç’dramatizon situatën, flet për zhgënjime kalimtare, përçarje në dalje të lirë. Mundet që dobësimi i fortë i Bidenit në krahasim me sondazhet e mëparshme, mund të varet gjithashtu nga fakti që këtë herë kampioni i zgjedhur përfshin të gjithë amerikanët e moshës së votimit në vend që të kufizohet, siç bëhet zakonisht, për qytetarët e regjistruar në listën elektorale.

Megjithatë, duhet të kihet parasysh se faktori më i vlerësuar i Bidenit në Evropë (që ka mbajtur NATO-n të bashkuar dhe ka udhëhequr koalicionin perëndimor për të mbrojtur Ukrainën), ka shumë pak ndikim në votën e SHBA-së.

Ndërsa pakënaqësia me situatën ekonomike, ka shumë rëndësi (për 56 për qind e të intervistuarve, këtu Trump kë bërë më mirë se Biden) dhe për menaxhimin e valës së migrimit nga kufiri me Meksikën, shkruan gazetasi.al.

Për më tepër, në të dyja fushat, gjërat mund të përkeqësohen me shtrëngimin monetar të Rezervës Federale ndaj inflacionit, i cili e shtyn Amerikën drejt recesionit dhe me skadimin, më 23 maj, të Titullit 42: norma që deri tani ka lejuar policinë kufitare të refuzojë shumë emigrantë pa kontrolluar as kërkesat e tyre. Ai mund ta kishte bërë atë duke thirrur një eergjencë Covid 19, që tani ka përfunduar zyrtarisht.

Cili është “faktori Robert Kennedy Jr.”

Në teori, kandidatura në zgjedhjet paraprake demokrate e djalit të Robert Kennedy-t, të vrarë në vitin 1968 dhe nipit të presidentit, JFK, i vrarë pesë vjet më parë, nuk duhet të rëndojë në zgjedhjet presidenciale.

Biden do ta mundë lehtësisht avokartin 69-vjeçar të ambientalistëve dhe kandidatë të tjerë të vegjël në zgjedhjet paraprake. Nëse gjithçka përfundon me kaq, jo keq për Bidenin.

Por “Trumpistët”, të vetëdijshëm për dobësinë e Donaldit, e kanë dashuruar shumë këtë Kennedy të çuditshëm, i cili është bërë një njeri i dashur i ultra të djathtës, nga Steve Bannon te Alex Jones, duke kaluar përmes Roger Stone.

Të gjithë përpiqen të harrojnë se për disa çështje (aborti, mjedisi, të drejtat e homoseksualëve) Kennedy Jr. ka pozicione progresive duke preferuar të fokusohet në atë që ndajnë: jo vaksinave, anti-globalizmit, vizione që kujtojnë konspiracionin QAnon jo vetëm për pandeminë, por edhe mbi të ashtuquajturin shtet i thellë: sipas Kennedy Jr, CIA është përgjegjëse për vdekjen e babait dhe xhaxhait të tij.

Madje është folur për një biletë të mundshme dypartiake me Kennedy-n si zëvendës të Trumpit, ndërsa sipas shumë njerëzve, Bannon e shtyn Robert Jr të kandidojë për të rritur konfuzionin në kampin e Bidenit.

Kennedy padyshim mohon të jetë i manipuluar nga “Trumpistët”, por duket shumë i drejtë dhe intervistohet vazhdimisht nga Fox dhe rrjete të tjera konservatore.

Nëse Kennedy do të kandidonte me Trump (shumë e pamundur) ose nëse, humb zgjedhjet paraprake demokrate dhe do të paraqitej në zgjedhjet presidenciale si i pavarur, do të bëhej një shqetësim i madh, veçanërisht për Bidenin, në një votim që do luhet si zakonisht, kokë më kokë.

Të ngjashme