Katari ka nënshkruar të mërkurën një marrëveshje për të blerë 160 aeroplanë nga prodhuesi amerikan, Boeing për nevojat e kompanisë ajrore Qatar Airways.
Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti amerikan, Donald Trump dhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani, gjatë vizitës së liderit amerikan në këtë vend të Gjirit.
Trump deklaroi se marrëveshja kap vlerën e 200 miliardë dollarëve dhe përfshin 160 aeroplanë, shkruan cnn.
“Pra, bëhet fjalë për mbi 200 miliardë dollarë, por 160 janë vetëm për aeroplanët – kjo është fantastike”, tha 78-vjeçari dhe shtoi se “ky është një rekord, Kelly, pra urime për Boeing-un”, duke iu drejtuar CEO-s së Boeing-ut, Kelly Ortberg, i cili ishte i pranishëm në sallë.
Ndryshe, porositë për Boeing gjatë vitit të kaluar pothuajse u ndalën pasi një derë emergjente u shkëput nga një aeroplan Alaska Airlines 737 Max në fillim të vitit 2024, duke lënë një vrimë të madhe në trupin e aeroplanit.
Edhe pse kishte një rikthim të porosive drejt fundit të vitit 2024, porositë bruto të Boeingut ishin vetëm 569 për të gjithë vitin – një rënie e madhe prej 60 për qind krahasuar me vitin 2023.
Tarifat e vendosura nga Trump ishin një goditje tjetër për kompaninë, e cila tashmë po përballej me vështirësi.
Boeing është eksportuesi më i madh amerikan dhe tarifat rrezikojnë ta bëjnë prodhimin e aeroplanëve shumë më të shtrenjtë, sidomos nëse vendet e huaja vendosin tarifa hakmarrëse.