Lajme
“Trump e quajti Grenellin njeri të madh” | Sipas NYT, “ankthi i Kurtit” mund të bëhet Sekretar i Shtetit ose Këshilltar për Siguri Kombëtare
Demokracia
18:00 | 26 Maj 2024

Share:

E përditshmja amerikane, “The New York Times”, ka publikuar një artikull të gjatë për Richard Grenellin.

Artikulli flet për karrierën e Grenellit në kohën kur në pushtet ishte Donald Trump dhe kur ushtroi pozita të ndryshme në kabinetin e tij, nga i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi deri te ushtruesi i detyrës së Shefit të Agjencisë së Inteligjencës të ShBA-së.

Në artikullin e NYT janë përmendur specifikisht dy pozita të cilat mund t’i marrë Richard Grenell në rast se Donald Trump fiton në garën për të parin e SHBA-së, transmeton Demokracia.com.

“Sido që të jetë, disa njerëz të afërt me ish-presidentin thonë se zoti Grenell ka një shans të mirë për të marrë një detyrë të lartë në politikën e jashtme në një administratë të dytë Trump – nëse jo si sekretar i shtetit, gjë që kërkon konfirmimin e Senatit, atëherë ndoshta si këshilltar i sigurisë kombëtare”, thuhet ndër të tjera në artikullin e NYT.

Po ashtu, mediumi amerikan ka treguar se sa shumë ish-presidenti Donald Trump e vlerëson ambasadorin Richard Grenell.

Gjithsesi, Trump flet rregullisht me Grenell dhe një vit e gjysmë më parë kishte lavdëruar për besnikërinë e tij. “Ric Grenell: një luftëtar”, tha Trump në Arizona në tetor 2022. “Ne kemi një njeri të madh, të madh. Një luftëtar i madh. Ai ka shumë të ardhme.”

Përderisa SHBA është në vit elektoral, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëri ka përzgjedhur një medium ndërkombëtar jo për të zbutur gjuhën ndaj Trumpit e Grenellit, po për të treguar nivelin e ulët të raporteve të tij me ish-administratën Trump.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pretenduar se në Kosovë, por edhe në gjithë Evropën, ka një lloj frike për kthimin e Donald Trumpit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Derisa ka folur në margjinat e sesionit të Institutit ODI për çështjet globale në Londër, Kurti ka thënë se “me kthimin e presidentit Trump ka njëfarë stresi dhe ankth në të gjithë kontinentin e as Kosova nuk është ndryshe”.

Kosova nën administratën Trump e themeloi ushtrinë e saj dhe e fitoi njohjen nga Izraeli. /Demokracia.com/

Të ngjashme