Lajme
TRONDITËSE| Kompania që i ngatërroi kufomat në QKUK tentoi ta zhvarroste trupin pa lejen e familjarëve
Demokracia
13:06 | 10 Shkurt 2022

Share:

Trupat e dy viktimave nga Covid-19 që vdiqën në SHSKUK u janë dhënë gabimisht familjarëve. Familjarët e H.K kanë marrë dhe varrosur trupin e Z.D, kurse ata të Z.D kanë marrë trupin e H.K., por këta të fundit nuk kanë kryer procedurat e varrimit.

Veç dhimbjes për humbjen e familjarëve të tyre, ata po përballen me këtë skandal për të cilin Demokracia.com ka raportuar mbrëmë ekskluzivisht.

Por detaje tronditëse kanë dalë pas këtij raportimi të Demokracia.com.

Burime të Demokracia.com tregojnë se kompania “Funerali” e ka marrë nga morgu H.K, i cili duhej të varrosej në Prizren dhe Z.D. e cila duhej të varrosej në Istog. (Emrat e viktimave janë të njohur për Demokracia.com, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk do t’i bëjmë publik.)

Demokracia.com nga burime të veta ka marrë vesh se kompania duke dashur ta mbulojë skandalin, krye në veti, pa marrë miratimin e familjarëve dhe institucioneve përkatëse, ka tentuar që në fshehtësi ta zhvarrosë trupin e Z.D. e cila ishte varrosur gabimisht nga familjarët e H.K. në Prizren.

E pas publikimit të skandalit në Demorkacia.com, SHSKUK duke dashur ta relativizojë skandalin, kanë thënë se janë ngatërruar vetëm dokumentacioni i viktimave.

“Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sqaron opinionin, se menaxhmenti i klinikës është njoftuar në lidhje me mundësinë e përzierjes së dokumentacionit mjekësor të pacientëve që kanë përfunduar me vdekje në këtë klinikë. Menaxhmenti i Klinikës Infektive bashkë me organet kompetente, Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, u tha mbrëmë nga SHSKUK.

Lidhur me rastin, Demokracia.com e ka kontaktuar sot drejtorin e Klinikës Infektive, Arben Vishaj, i cili ka konfirmuar se Policia po merret me rastin.

“Mbrëmë ka qenë ajo situatë se ka dyshime se janë ndërruar kufomat dhe unë nuk kam qenë në punë. Sot jam duke i marrë masat e duhura për të parë se si ka ndodhur ngjarja, do ta bëjë një raport. Unë nuk kam informata të sakta sepse shumica e stafit kanë qenë kujdestarë. Jam duke i mbledhur të dhënat. Policia e Kosovës është informuar dhe ju mund t’i merrni detajet nga ta. Jemi duke e studiuar dhe ende nuk kemi ndonjë informatë. Jemi duke e studiuar çështjen në detaje”, ka thënë ai.

Përveç kësaj kompanie, Demokracia.com merr vesh se lidhur me rastin po hetohet edhe QKUK-ja pasi që dyshohet se i ka lëshuar trupat në mënyrë të gabuar.

Për ngjarjen që tronditi opinionin janë arrestuar dy persona. Arrestimi i tyre u bë i ditur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“Nga Departamenti i Përgjithshëm, janë ndaluar dy (2) persona të dyshuar, në kohëzgjatje prej 48 orëve, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit janë përfshirë në kryerjen e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” sipas KPRK- së”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që pa autorizim gërmon, mih, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos varrin apo ndonjë vendvarrim tjetër, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit. Po ashtu kushdo që pa autorizim heq, dëmton, shkatërron ose fsheh kufomën, një pjesë të saj ose hirin e të vdekurit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. /Demokracia.com/

Detaje EKSKLUZIVE rreth skandalit ku viktima e COVID-it u varros gabimisht në Prizren

Të ngjashme