Lajme
“Trimi” Elez Blakaj lajmërohet nga përtej oqeanit Atlantik, mbështet Osmanin për mosdekretimin e Kryeprokurorit
Demokracia
19:10 | 18 Tetor 2023

Share:

Ish-prokurori Elez Blakaj, ka mbështetur vendimin e presidentes Vjosa Osmani, e cila nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn si kryeprokuror të shtetit.

Blakaj ka thënë se ka pasur shumë shkelje që janë evidentuar për zgjedhjen e Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në këtë mënyrë, ai mbështeti vendimin e Osmanit për të cilën ka njohës të Kushtetutës thonë se “Osmani ka bërë shkelje kushtetuese”. Kështu nuk mendon edhe Blakaj.

”Shkeljet e evidentuara gjatë procesit të monitorimit në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe shoqëria civile, nuk kalojnë tek institucioni i Presidentit të Shtetit! Të gjithë ata të cilët provojnë të bëjnë interpretime lidhur me vendimin/njoftimin e Presidentes së Shtetit, shkëputur nga problemet e evidentuara gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit janë të njëanshëm ose të verbër profesionalisht”, ka shkruar Balkaj në Facebook.

”Presidentja e Shtetit si garantuese në funksionimin e institucioneve të shtetit, ka ushtruar kompetencat e saj në mbrojtje të integritetit dhe autoritetit funksional të Institucionit të Prokurorit të Shtetit, dhe çdo vendim/njoftim i cili do të legalizonte një proces me shkelje të tilla (të njohura tani), do të përbënte shkelje! E pakuptueshme se si Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, për situata të ngjashme dhe për pozitën e njëjtë, përdor standarde të dyfishta! Populli do të thoshte për dikë “nënë” e për dikë “njerkë”, ka thënë Blakaj.

Të ngjashme