Lajme
Tri vite pa kryeprokuror- A sjell shpresë ligji i ri për KPK?
Demokracia
12:44 | 10 Maj 2025

Share:

Plotësim-ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk kanë përfshirë ndonjë afat kohor për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit-pozitë që tash e tri vite vazhdon të mbetet e udhëhequr me ushtrues detyre, Blerim Kelmendi.

Ligji i ri, i cili pritet të hyjë në fuqi nga viti 2026, parashikon një ristrukturim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke e zvogëluar numrin e anëtarëve nga trembëdhjetë në shtatë, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e efikasitetit dhe përfaqësimit profesional.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar se mospërcaktimi i një afati të qartë për dekretimin e Kryeprokurorit nga ana e Presidentes, është një mangësi serioze në kuadër të kësaj reforme ligjore.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk e kishte dekretuar emrin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit për më shumë se një vit, pasi propozimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës i kishte shkuar në zyrën e saj.

Por, Bugaqku shpreson se përbërja e re e Këshillit Prokurorial nga viti 2026, do t’i hapë rrugë çështjes së kryeprokurorit të shtetit.

“Mendoj se kjo ka qenë fatkeqësia e këtij ligji, fakti që nuk është aprovuar kërkesa jonë që të vendoset një afat strikt për presidenten dhe kur ajo vendos mbi çështjen e dekretimit të një kandidati për kryeprokuror të shtetit. Afati është sa i përket dekretimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ai afat është gjashtëdhjetë ditë nga momenti kur Këshillat i propozojnë si gjyqtarë dhe prokurorë, dhe presidentja vendos brenda këtyre gjashtëdhjetë ditëve për dekretimin e këtyre kandidatëve. Dhe ne kemi kërkuar afatin maksimumi nëntëdhjetë ditë… Por megjithatë, ky propozim nuk ka kaluar dhe nuk ka asnjë ndryshim sa i përket procedurës së emërimit të kryeprokurorit të shtetit; mbetet ashtu siç është në ligjin e vjetër. Ende është e paqartë se si do të vazhdojë ecuria më tutje ose kjo saga e ushtrimit të detyrës së pozitës së kryeprokurorit të shtetit”, theksoi ai.

Edhe hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, thotë pwr KosovaPress, se plotësim-ndryshimi i Ligjit të KPK-së, nuk ka sqaruar se si do të veprohet për një zgjidhje më të shpejtë për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.

“Ne jemi ende me një proces të cilin e kemi me ushtrues detyre postin e kryeprokurorit… Tash e tutje, me këtë plotësim dhe ndryshim dhe me këto risitë që janë në këtë ligj, nuk është që është definuar dhe sqaruar qartë se si do të veprohet. Mirëpo, KPK e ka me dije që emri i Blerim Isufajt është referuar nga presidentja dhe KPK duhet ta zhvillojë procedurën e konkursit dhe të zhvillojë një procedurë që është e bazuar në meritokraci dhe në dispozitat ligjore në fuqi”, shprehet Kabashi.

Përkundër kësaj pakënaqësie, Kabashi i IKD-së beson që ndryshimet e reja do ta luftojnë korporatizmin në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Është zgjidhja më adekuate dhe më e mirë e mundshme që është bërë brenda përbrenda këtij ligji dhe risive që ka sjellë ky ligj… Kjo formë e rregullimit në këtë ligj ndoshta do ta largojë korporatizmin i cili ka ekzistuar në KPK… dhe pikërisht ky ligj ndoshta do të jetë përgjigja më e mirë e mundshme që do ta largojë këtë mendësi korporatiste, mendësinë e asaj që një grup i caktuar udhëheq, funksionon dhe emëron në emër të interesave të veta”, deklaroi ai.

Ndryshimet e parashikuara në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës u patën kundërshtuar nga vetë anëtarët e këtij institucioni. Ky ligj për herë të parë nuk e kaloi testin e Gjykatës Kushtetuese, por me përfshirjen e ndryshimeve të kërkuara nga Kushtetuesja më pas kaloi filtrin e kësaj gjykate për herë të dytë.

Rikujtojmë që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në tetorin e vitit 2023 nuk e dekretoi Blerim Isufajn për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, për shkak të, siç tha, disa shkeljeve ligjore, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte deklaruar se arsyetimet e presidentes ishin të pabazuara dhe tendencioze.

Blerim Isufaj ishte përzgjedhur kandidat për të udhëhequr Kryeprokurorin e Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe ishte në pritje të miratimit që nga muaji prill i vitit 2022./kp

 

Të ngjashme