OpEd
Tri mitet që e përndjekin Perëndimin
Demokracia
09:00 | 27 Qershor 2024

Share:

YANIS VAROUFAKIS, Project Syndicate

Tre janë mitet mbi të cilat ngrihet zhgënjimi i përbashkët i udhëheqësve politikë centristë perëndimorë, të cilët prej kohësh e kanë marrë për të mirëqenë hegjemoninë e tyre. Secili mit është më shumë se sa i gabuar dhe rrëzimi i tyre mbetet një hap i domosdoshëm, ndonëse i pamjaftueshëm, për të kuptuar të tashmen.

Elitat me vetëbesim pasqyrojnë regjime të qëndrueshme. Megjithatë, sot elitat në të dy anët e Atlantikut mund të kenë gjithçka përveç vetbesimit. Prej mëse një viti, ato nuk po iu besojnë syve teksa shohin se si kanë rrjedhur gjërat.

Në Shtetet e Bashkuara, centristët ndihen të tmerruar nga fakti që masat e njerëzve duken kaq mosmirënjohëse ndaj sukseseve ekonomike të Presidentit Joe Biden, saqë po priren gjithmonë e më shumë drejt Donald Trump-it. Ndërkaq, në Evropë, fitorja e vrullshme e sivëllezërve të Trump-it në kurriz të ikonave liberale si Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Të Gjelbrit e Gjermanisë, kanë shkaktuar po aq dëshpërim.

Kudo në Perëndim, pamundësia e sanksioneve të ashpra për të dëmtuar ekonominë ruse dhe qëndrueshmëria e kompanive teknologjike kineze përballë sanksioneve, po nxit lindjen e një përzierje nihilizmi dhe patriotizmi të tepruar. Tre mite qëndrojnë në themel të zhgënjimit kolektiv të centristëve perëndimorë, të cilët e patën marrë për të mirëqenë hegjemoninë e tyre.

Miti i parë është se centrizmi, për nga natyra, është armiku kryesor i të djathtës ekstreme. I dyti është ai i “votuesit mesatar,” i cili vendos fatin e zgjedhjeve. I treti është se sanksionet dhe tarifat e larta doganore do t’ia prisnin hovin Kinës dhe Rusisë, duke patur parasysh varësinë e tyre nga teknologjia, kapitali dhe sistemet e pagesave perëndimore.

Secili prej këtyre miteve është më shumë se i gabuar; të gjithë bashkë janë çorientues. Rrëzimi i tyre është një hap i nevojshëm, ndonëse i pamjaftueshëm, për të kuptuar të tashmen.

Le të marrim mitin e përplasjes së madhe midis qendrës dhe të djathtës ekstreme. Lind pyetja: A do të kishtë dalë Macron-i nga hiçi për t’u bërë president i Francës po të mos kish patur përballë sfidën e fortë të Marine Le Pen dhe partisë së saj Fronti Kombëtar (siç quhej atëherë)? Sipas të gjitha gjasave, jo. Por, a do të mundej dikush si Le Pen të shndërrohej në një pretendente të rëndësishme, nëse Macron-i, përmes politikave të tij, nuk do të favorizonte ultra të pasurit (përmes taksave të ulëta dhe shtypjes në masë të parasë), teksa gjysma tjetër e popullsisë detyrohej të jetonte nën shtrëngim ekonomik? Sërish, përgjigjja është jo.

Ndërsa nuk ka dyshim që Macron dhe Le Pen e urrejnë njëri-tjetrin (po aq sa Demokratët në SHBA urrejnë Trump-in), fuqia e tyre varet pikërisht nga kjo marrëdhënie simbiotike. Është pikërisht ky zbatim nga forcat e qendrës i socializmit shtetëror për pakicën dhe masave ekonomike shtrënguese për shumicën, që po nxit të djathtën neofashiste, fuqizimi i së cilës ushqen sërish pretendimin e centristëve se ata janë i vetmi bllok rezistence kundër neofashizmit.

Tani përfytyroni mitin e votuesit mesatar mosmirënjohës, i cili shpërfill në mënyrë moskokëçarëse rimëkëmbjen e fortë të ekonomive perëndimore pas pandemisë. Personat e vetëm që befasohen nga rënia politike e Macron-it, ose që fajësojnë masën në Amerikë si të paaftë për të vlerësuar mrekullinë ekonomike të Biden-it, janë ata të cilët jetojnë në botën e statistikave për frymë dhe të dhënave makroekonomike. Për ta, rritja e PBB-së me një presje dhjetore dhe ulja me një pikë përqindje e normës së papunësisë supozohet të bëjë gjithë dallimin.

Në vitin 1992, mantra e fushatës së Bill Clinton-it ishte “Është ekonomia, budalla.” Por, pyetja që bëhet sot është: Ekonomia e kujt? Nëse pyesni ata që vuajnë se përse zemërohen ndonëse PBB-ja po rritet, ata do t’iu përgjigjen: “Ndoshta po rritet PBB-ja juaj, por jo e imja.” Nëse iu thoni që inflacioni është stabilizuar, do t’iua kthejnë prerë: “Ndoshta çmimet tuaja s’po rriten, po të miat po kapin qiellin!” Për hir të sinqeritetit, është krejt e logjikshme të thuhet se me gjithë të dhënat e ndritshme makroekonomike, mundësitë për shumicën në botën e pas 2008-ës janë tkurrur tej mase.

Pasi mbivlerësuan pozicionin hegjemonik mbi popullatat e tyre, elitat centriste perëndimore vijuan të mbivlerësojnë fuqinë e tyre mbi armiqtë e jashtëm, veçanërisht Rusinë dhe Kinën. Në të dy rastet, ushtrimi i kësaj fuqie padyshim të madhe solli përfundime krejt të kundërta nga ato që qenë synuar.

Në rastin e Rusisë, sanskionet e paprecedenta si kundërpëgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës rezultuan të ishin një bekim për presidentin Vladimir Putin. Për të, problemi kryesor kishte qenë gjithmonë pushteti i kufizuar ndaj oligarkëve, të cilët kishin arritur një lloj sigurie duke e dërguar shumicën e pasurisë së tyre në Perëndim. Por, sanksionet i dhanë Putin-it mundësinë t’i detyrojë ata të zgjedhin midis Rusisë dhe Perëndimit, duke e ëmbëlsuar disi këtë ultimatum me mundësinë e marrjes përsipër të bizneseve ftimprurëse të braktisura nga korporatat perëndimore (si McDonald’s ose IKEA).

Veç kësaj, ekonomia e luftës, e shkëputur nga zinxhirët furnizues perëndimorë, çoi drejt një përpjekjeje masive për riindustrializimin e vendit, duke kompensuar kështu humbjen e madhe të shkaktuar nga pamundësia e importimit të mallrave të ndërmjetme dhe rritjes së çmimeve.

Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e Kinës ka qenë një zhgënjim edhe më i madh për politikbërësit e Uashingtonit, të cilët besuan se vendimi i presidentit Biden për t’i ndaluar kujtdo (jo vetëm amerikanëve) shitjen e e gjysmëpërcjellësve të avancuar kompanive kineze, do t’iu priste atyre hovin, duke ndihmuar kështu SHBA-të që të fitonin e Luftën e Dytë të Ftohtë. Por, ndërsa Huawei dhe prodhues të tjerë vendas përpiqeshin të kapnin ritmin për prodhimin e harduereve cilësore, ata zhvilluan softuerë të avancuar, në gjendje të prodhonin më shumë fuqi kompjuterike nga mikroçipë më të vegjël. Ndërkaq, prodhimi masiv dhe me kosto të ulët i automjeteve elektrike me teknologji të avancuara dhe pajisjeve të energjisë së gjelbër, i gjeti të papërgatitura autoritetet amerikane dhe evropiane.

Vetëbesimi i elitave evropane e mori tronditjen më të madhe kur, pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë e Kinës, u përpoqën të bindnin popullatat në lidhje me rikthimin e suksesshëm të prodhimit në vendet e tyre. Pikërisht atëherë, ata kuptuan se 30 vjet çinvestim, si në prodhim ashtu edhe në aftësinë e shtetit për të qenë efikas, e kishin bërë Perëndimin të pafuqishëm. Ngado të shohësh – qoftë në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar apo Bashkimin Evropian – kupton se shteti e ka humbur aftësinë për të ndërtuar e prodhuar në mënyrë efikase; nga hekurudhat e Britanisë dhe programi i nëndetëseve bërthamore të Amerikës deri tek energjia e gjelbër, shëndeti publik dhe shumë të tjera.

Diferenca me zhvillimet në Rusi dhe Kinë rëndon së tepërmi mbi politikëbërësit perëndimorë, të cilët për dekada janë joshur nga lobistët e korporatave dhe think tank-et për të shteruar kapacitetet shtetërore për mbështetjen e prodhimit dhe ndërtimit. Mbetet për t’u parë nëse ky leksion i hidhur do t’i bindë ata të heqin dorë nga tre mitet që i kanë verbuar prej kaq kohësh.

Të ngjashme
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024