Lajme
Tri kërkesat e reja: Si i ndryshoi Kurti “kushtet” për dialog me Serbinë?
Demokracia
11:58 | 29 Qershor 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish ka vendosur tri kërkesa, të cilat u cilësuan edhe si kushte, në tavolinën e dialogut në Bruksel. Kjo nuk është hera e parë që Kurti vendosë të tilla kushte, pasi gjatë kohës sa ishte opozitar, kryeministri kishte pasur kushte të tjera, shumë më radikale, në lidhje me negociatat me Serbinë.

Megjithatë, tashmë kushtet e vjetra janë zëvendësuar nga kërkesat e reja, të cilat ndryshojnë dramatikisht me njëra-tjetrën. Madje, ndër vite vërehet edhe një zbutje “semantike” e Kurtit, pasi nga termi i moçëm kushte, tash ai përdorë terme më ngarkesa kuptimore më të buta, si p.sh. “kërkesa”.

“Kushtet” e dikurshme

Vite më parë, Kurti kishte vendosur pesë lloje të kushteve, të cilat më shumë ngjasonin me parakushte, për negociata me Serbinë. Në mesin e kushteve, Kurti kishte renditur edhe njohjen e Kosovës, zhdëmtimin, kthimin e të pagjeturve e fundin e financimit të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë.

“Janë pesë lloje të kushteve që Serbia duhet t’i plotësojë para çfarëdo bisedimesh me neve. Janë kushtet juridike: Serbia duhet me njoftë pavarësinë e Kosovës, edhe duhet me ndryshu Kushtetutën e saj, ku shkruan “Kosova është pjesë e Serbisë”. Janë kushtet morale dhe humanitare: Serbia duhet me naj kthy ata 1750 të pagjetur ose me dhënë informacione se ku ata ndodhen. Janë kushtet e zhdëmtimit për artifaktet kulturore, depozitat bankare, fondin pensional, librat kadastralë, regjistrat civilë, duhet krejt me naj kthy Serbia, sepse na i kanë plaçkitë. Nuk mundesh me negociu me plaçkitësin për plaçkën. Janë kushtet politike: Serbia duhet ta pushojë financimin e strukturave të saja ilegale, armiqësore dhe kriminale në veri të Kosovës dhe jo vetëm atje, por njëkohësisht duhet të pushojë terrorin, shytpjen politike dhe shfrytëzimin ekonomik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përkatësisht në Kosovën lindore” – thoshte vite më parë Kurti në një fjalim para një mase të konsiderueshme të mbledhur në protesat që dikur i organizonte VV-ja.

Të njëjtat qëndrime, pak a shume, Kurti i kishte ripërsëritur edhe pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2016. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti kishte folur gjerë e gjatë për “kërkesat” që Serbia duhet t’i plotësojë para dialogut në Bruksel, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne kemi po ashtu kërkesa për Serbinë. Përveç se duhet ta njoh Republikën e Kosovës, duhet ta ndryshoj kushtetutën, e ka kushtetutën të vjetruar Republika e Serbisë dhe duhet ta ndryshoj dhe gjithashtu duhet që të ballafaqohet me të kaluarën me ç’rast patjetër që Serbia na shfaqet si borxhli ndaj Kosovës edhe sa i përket suksesionit të Jugosllavisë edhe sa i përket reperacioneve të luftës edhe të okupimit. Prandaj besoj që i gjithë spektri politik kosovar, duhet të bashkohen në kërkesat e Republikës së Kosovës për Republikën e Serbisë, ku duhet theksuar një mijë e 500 të pagjeturit, pastaj janë mbi një milionë shqiptar të dëbuar ga shtëpitë e tyre në pranverën e vitit 1999, 860 mijë të deportuar jashtë Kosovës, njëzet mijë gra e vasha të përdhunuara, janë 10 mijë civilë të pambrojtur e të paarmatosur të vrarë në mesin e të cilëve mbi 1 mijë fëmijë, fondi i kursimeve pensionale, depozitat bankare dhe 1 mijë e 200 artefakte kulturore gjithashtu të plaçkitura por të mos harrojmë se edhe shumë ndërmarrje në Kosovë i kanë pasur degët, zyrat e tyre gjithandej në Serbi të cilat janë tjetërsuar padrejtësisht dhe këto janë vetëm disa prej elementeve përbërëse të kërkesave tona për borxhin që na e ka Serbia” – kishte thënë Kurti në tetor të vitit 2019.

“Kërkesat” e reja

Të mërkurën që iku, Kurti është takuar me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, në Bruksel, që konsiston në takimin e parë që nga sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit. Megjithatë, nuk kishte takim trepalësh, pasi Kurti paraqiti tri kërkesa ndaj Serbisë.

“E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Brnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”, tha Kurti të mërkurën menjëherë pas takimit.

Këto kërksa Kurti i ritheksoi gjatë një mbledhjeje në Qeverinë e Kosovës që u mbajtë këtë të premte.

“Ne paraqitëm këto tri kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike, e cila është në sulm të vazhdueshëm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm ta respektojë asnjërën, pra as të nënshkruajë marrëveshjen, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq. Ne jemi për dialog për normalizim dhe duam normalizim të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë. Kjo bëhet me pranim të tërësishëm të marrëveshjes që e kemi arritur dhe me zbatim të tërësishëm të saj” – ka thënë Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, transmeton Nacionale.

Të ngjashme