Lajme
Tri ditë para ndalimit të dinarit, zyrtarët perëndimorë të një mendjeje për nevojën e “shtyrjes së zbatimit”
Demokracia
22:06 | 29 Janar 2024

Share:

Me afrimin e datës së ndalimit të monedhës serbe (dinarit) në komunat me shumicë serbe, zërat e zyrtarëve amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian po sinkronizohen gjithnjë e më shumë për të kërkuar koordinimin e duhur para zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme. Zyrtarët perëndimorë theksojnë rëndësinë e një tranzicioni më të ngadalshëm në kontekstin e nevojës për të shmangur pasojat potencialisht problematike në vendbanimet me shumicë serbe.

Së fundi, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, nëpërmjet një postim në platformën X, ndër të tjera deklaroi se zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të organizohen sa më shpejt, duke theksuar nevojën për një koordinim përpara implementimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës në lidhje me ndalimin e valutës serbe në komunat veriore.

“Zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës duhet të mbahen sa më shpejt, si dhe nevojitet koordinim para zbatimit të rregullores së re për monedhat.” – tha ai.

Shtyrjen e vendimit të BQK-së e kërkoi gjatë ditës edhe ambasadori amerikan i Prishtinë, Jeff Hovenier. Pas takimit me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, Hovenier përcjelli shqetësimin e ShBA-së “lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme.”

“Sot zhvillova një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e ShBA-së lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme. Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi ai në X.

Ndërkohë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se vendimi “ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe”.

“Kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, deklaroi Stano.

Ndër të tjera, ai thirrje të merren parasysh pasojat eventuale të rregullores sa i përket “procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.

Paqartësi rreth zbatueshmërisë

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar rregulloren e re ku specifikohet – ajo që kaherë ka qenë kushtetuese – se valutë e vetme e pranuar/valide për kryerjen e pagesave dhe transaksioneve në Republikën e Kosovës është euro.

Kjo rregullore futet në fuqi që nga 1 shkurti. Por, askush, as nga BQK as nga Qeveria e Kosovës, s’ka qartësuar e as shpjeguar se si do të zbatohet kjo; e madje as a është e zbatueshme kjo në kushte normale.

Të ngjashme