Javën e kaluar është paraqitur rasti i tretë i alarmit për bombë në Stacionin e Autobusëve, i cili ka rezultuar sërish i rremë.
Dy thirrjet e mëparshme kanë qenë nga Serbia, ku thirrja e parë ishte bërë nga pronari i numrit të telefonit Zoran Kovacevic, i moshës 57-58 vjeçar, serb nga Bujanoci. Edhe thirrja e dytë, po ashtu, sërish erdhi nga Serbia, raporton Demokracia.com.
Që të tria këto alarme të rreme për bombë në Stacion të Autobusëve janë duke u hetuar nga prokuroria e shtetit, si vepra penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.
“Rasteve të cilave ju kemi referuar mund t’ju njoftoj se prokurori i shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe po vazhdon të hetohet tutje”, ka thënë për Demokracia.com, zyrtarja për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Deri më tash ende zyrtarisht nuk është publikuar ndonjë informatë për të dyshuar për thirrjet në kushte anonimiteti në adresë të forcave të rendit.
Të gjitha telefonatat që janë pranuar për mjete shpërthyese nga policia kanë qenë përgjatë mesditës./Demokracia.com/