Lajme
Tri alarme të rrejshme për bombë në Stacion të Autobusëve, policia jep detaje
Demokracia
21:30 | 07 Janar 2022

Share:

Policia e Kosovës për të tretën herë radhazi ka pranuar alarme të rrejshme nga telefonata anonime për mjete shpërthyere në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

E sotmja u shënua si hera e tretë përbrenda dy javësh prej se Policia e Kosovës po e evakuon perimetrin në Stacionin e Autobusëve, nën dyshimin se ka mjete eksplozive, shkruan Demokracia.com.

Policia e Kosovës ka thënë për Demokracia.com se janë iniciuar dy rastet e alarmit për bombë në Stacionin e Autobusëve dhe se Prokuroria e Shtetit po merret me rastin.

Deri më tash janë iniciuar dy raste të këtyre alarmeve për bombë në Stacionin e Autobusëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit. Për të tretin nuk kam informata të tjera, prokuroria po merret me këto raste”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Për herën e parë të alarmit për bombë, u tha se thirrja kishte ardhur nga një serb nga Bujanoci.

Deri më tash ende zyrtarisht nuk është publikuar ndonjë informatë për të dyshuar për thirrjet në kushte anonimiteti në adresë të forcave të rendit.

Të gjitha telefonatat që janë pranuar për mjete shpërthyese nga policia kanë qenë përgjatë mesditës./Demokracia.com/

Të ngjashme