Lajme
Trendafilova nuk u pajtua me kritikat e avokatit të popullit
Demokracia
20:46 | 18 Maj 2025

Share:

Avokati i popullit Naim Qelaj pati një takim të rëndësishëm këtë javë.

Ai priti në zyrë, kryetaren e Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, së cilës ia adresoi shumë shqetësime.

Institucioni që drejton Qelaj, nuk është i kënaqur me trajtimin që po u bëhet ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh po ballafaqohen me një proces gjyqësor në Hagë të Holandës.

“Në mesin e shumë shqetësimeve tjera, natyrisht që ka qenë kohëzgjatja e paraburimit, sepse kanë kaluar disa vite që mbahen në paraburgim dhe duket se nuk ka vullnet për m’i shqyrtu aplikimin e masave të tjera që Kodi i Procedurës Penale i parasheh”, u shpreh Qelaj për Tëvë1.

Me parregullësitë e ngritura, avokati i popullit tregon se nuk u pajtua Trendafilova.

“Natyrshëm që ajo ka konstatuar se këto shqetësime nuk ekzistojnë. Pra, me këtë la me kuptu që po zbatohen standardet e larta të respektimit të të drejtave të akuzuarve në procedure”, tregon ai.

Qelaj i sheh si problematike edhe kufizimet që Specialja ua ka vendosur të paraburgosurve për vizitat e familjarëve.

Avokati i popullit në Kosovë, nuk është i kënaqur me punën që po bën homologu i tij, Pietro Spera në Speciale.

“Në të gjitha pyetjet më është përgjigjur se janë konfidenciale dhe në këto rrethana unë e kam marrë si refuzim për bashkëpunim. Prandaj nuk e kam parë të nevojshme me vazhdu më tej komunikimin, duke i thënë se gjitha aspektet që ju po m’i thoni, tregojnë se unë duhet me ardhë me i vizitu vet ata në Hagë, ngase ju nuk jeni në gjendje edhe avokatit të popullit të Kosovës me i dhanë informata bazike, të cilat duhet të jenë transparente”, shprehet ai.

Qelaj tregoi se së shpejti do t’i vizitoj ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

E vizita e kryetares së Gjykatës Speciale në Kosovë, u përcoll me protesta.

Veteranët ia pamundësuan asaj mbajtjen e një koference për media./teve1.info

Të ngjashme