Lajme
Tre të vdekur në aksidente për dy ditë, deri në maj vdiqën 28 persona
Demokracia
23:11 | 27 Qershor 2024

Share:

Tre persona kanë vdekur në dy ditët e fundit në aksidente të ndara nëpër Kosovë, ndërkaq nga janari deri në maj kanë humbur jetën 28 persona.

Një person ka vdekur gjatë aksidentit të së enjtes mes një autobusi dhe një veture në Keqekollë të Prishtinës. Në këtë aksident janë lënduar 14 persona të tjerë.

Të mërkurën është raportuar për një grua të vdekur si pasojë e aksidentit në magjistralen Ferizaj-Gjilan në afërsi të fshatit Sojevë. Ndërkaq, një person vdiq pas aksidentit me motoçikletën e tij në Viti.

Nga muaji janar deri në maj kanë vdekur 28 persona në 25 aksidente. Në po të njëjtën periudhë në aksidente të komunikacionit janë lënduar 5 mijë e 591 persona në 2 mijë e 971 aksidente.

Policia e Kosovës ka ofruar shifrat në të cilat bëhet e ditur se nga janari deri në maj ishin 8 mijë e 322 aksidente.

Gjatë po të njëjtës periudhë, Policia e Kosovës ka shqiptuar 292 mijë e 291 gjoba.

Në periudhën janar – maj të vitit 2023 kishin vdekur 34 persona në 29 aksidente.

5 mijë e 931 persona u lënduan në 3 mijë e 16 aksidente

Në total për po të njëjtën periudhë u raportuan 8 mijë e 102 aksidente.

Policia e Kosovës shqiptoi 360 mijë e 241 gjoba.

Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës që publikohen pas aksidenteve, shkaqet më të shpeshta që çojnë në aksidente, janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja e ngasjes së makinave me kushtet në rrugë dhe kushtet atmosferike, si dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

Ndërsa më 3 prill, hyri në fuqi i Ligji i ri për trafikun rrugor, ligj ky që parasheh masa dhe gjoba të ashpra për shkelësit e rregullave në komunikacion.

Gjobat që parashihen me ligjin e ri janë nga 20 euro deri në 6 mijë euro, gjersa ligji parasheh gjobat të ashpra për ata që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar, nuk respektojnë semaforin, nuk vendosin rripin e sigurisë.

Gjoba janë paraparë edhe për këmbësorët që nuk kalojnë në vendkalimin e dedikuar për ta, ndërkaq me ligj është rregulluar edhe çështja e përdorimit të trotinetëve elektrikë.

Aksident mes autobusit dhe veturës në Prishtinë: Një i vdekur dhe 14 të lënduar

 

Të ngjashme