Lajme
Trazirat pas vrasjes së 17-vjeçarit, Franca në “shtetrrethim” me 40 mijë policë në rrugë
Demokracia
22:41 | 29 Qershor 2023

Share:

Autoritetet franceze janë të alarmuara për protestat e dhunshme dhe trazirat që kanë shpërthyer në vend, pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel nga policia.

Prej dy netësh radhazi ndërtesave dhe automjeteve në qytete të ndryshme iu vu zjarri, teksa mijëra njerëz (kryesisht të rinj) dolën në rrugë për të protestuar, pasi u shpërnda në rrjet video ku adoleshenti brenda makinës qëllohej me armë nga policia.

Policia shtiu mbi të riun në periferinë pariziene të Nanterre pasi ai nuk iu përgjigj thirrjes së tyre për të ndaluar, teksa kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Demonstratat që pasuan incidentin kanë bërë që Presidenti Emanuel Makron të urdhërojë vendosjen e 40,000 oficerëve mbrëmjen e kësaj të enjten në shërbim, mes frikës së një natë e tretë trazirash do të ndodhë ne veçanti në Paris.

Gjithashtu policia në kryeqytet ka dhënë urdhër që shërbimet e autobusëve dhe tramvajit të mbyllen herët, në mënyrë që të mos jenë shënjestra për banditë dhe vandalët.

Ndërkohë, qyteti Clamart me një popullsi prej 54,000 banorësh, që ndodhet në periferinë jugperëndimore të Parisit njoftoi një shtetrrethim brenda natës që do të zgjasë edhe në fundjavë.

Shtetrrethimi do të nisë në orën 21:00 dhe vijon deri në 06:00 të mëngjesit nga e enjtja mbrëma deri të hënën.

Sakaq, ministrat e Makron kanë bërë thirrje për qetësi teksa u mblodhën për një takim për krizën që ka kapluar vendin këtë mëngjes.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha: “Profesionistët që mbjellin tension duhet të shkojnë në shtëpi. Përgjigja e shtetit do të jetë jashtëzakonisht e ashpër”.

Ministri konfirmoi gjithashtu se numri i oficerëve në detyrë sonte do të katërfishohej nga 9,000 në 40,000, me numrin e oficerëve të vendosur vetëm në rajonin e Parisit të dyfishuar me 5,000.

Në takimin urgjent që mbajti gjatë paradites, vetë Macron mësohet të jetë shprehur: “Këto akte janë krejtësisht të pajustifikueshme”.

Ai gjithashtu ka kërkuar një plan për ditët në vijim, në mënyrë që paqja e plotë të mund të kthehet në vend.

Por ndryshe mendojnë aktivistët francezë, të cilët përsëritën thirrjet për të trajtuar atë që ata e shohin si abuzim sistematik të policisë, veçanërisht në lagjet ku shumë banorë luftojnë me varfërinë dhe diskriminimin racor ose klasor.

Ndërkohë, raportohet se në dy mbrëmjet që pasuan incidentin, pati përplasje të ashpra midis policisë dhe të rinjve në qendrat strehimore dhe lagje të tjera vulnerabile.

Në shesh, përballë ekipeve të policisë kundër trazirave pati gaz lotsjellës dhe granata trullosëse, ashtu si edhe gurë, flakë dhe fishekzjarrë. Demonstratat u përhapën edhe në qytete të tjera të mërkurën mbrëma, pavarësisht nga prania e shtuar e policisë.

 

Të ngjashme