Lajme
Trazira në Suedi dhe përleshje me policinë, akte islamofobie të së djathtës ekstreme
Demokracia
12:42 | 18 Prill 2022

Share:

Qytetet e Suedisë janë tronditur prej disa ditësh nga trazirat dhe përleshjet me policinë. Zemërimi në shesh shpërtheu pasi një ekstremist i krahut të djathtë, njoftoi një seri demonstratash dhe mitingjesh gjatë të cilave ai kërcënoi se do të digjte kopje të Kuranit.

Komunitetet islame të qyteteve të ndryshme janë revoltuar veçanërisht pas “jo”-së së autoriteteve për anulimin e mitingjeve islamo-fobike. Bilanci, pas tre ditësh trazira, është një duzinë policësh të plagosur dhe tre demonstrues të goditur (por gjendja e tyre nuk është serioze) nga plumbat e policisë të shkrepura për të shpërndarë turmën. Tetë të tjerë u arrestuan.

Rasmus Paludan, ekstremisti i djathtë danez në krye të lëvizjes “Stram kurs”,  “vijë e fortë”, ndezi fitilin e përplasjeve.

Paludan ka paralajmëruar një turne në disa qytete suedeze, ku komunitetet e emigrantëve janë veçanërisht të mëdha.

Tonet e dhunshme dhe raciste të propagandës së tij, kishin provokuar pakënaqësinë e myslimanëve (objektivi i sulmeve të Paludanit), por zemërimi u rrit, pasi ekstremisti shpalli synimin e tij për t’i vënë flakën librit të shenjtë të Islamit.

Dhuna në rrugë shpërtheu, pasi policia refuzoi të anulonte tubimet e diskutueshme: ligji suedez, i cili është shumë tolerant për sa i përket lirisë së shprehjes, nuk do ta lejonte këtë.

Përplasjet më të nxehta u zhvilluan në Norçeping, ku disa agjentë u plagosën në një përpjekje të aktivistëve myslimanë për të vendosur disa blloqe betoni në rrugë.

Oficerët ishin objektiva të goditjeve me gurë dhe u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe spraj. Skena, mes të enjtes dhe të shtunës mbrëma u përsërit në periferi të Stokholmit në Malmoe, ku në lagjen “Rosengradit” u dogj një autobus dhe në fund në Linkoping.

Në Norçeping, zëdhënësi i policisë, Johnny Gustafsson, konfirmoi se tre protestues u plagosën lehtë nga plumbat e policisë.

Linja “e butë” e mbajtur nga autoritetet, po krijon ndërkohë disa probleme për qeverinë e Stokholmit me vendet me shumicë myslimane, shkruan Gazeta Si.

Ministria e Jashtme i Irakut thirri të Ngarkuarin me Punë të Suedisë në Baghdad, duke deklaruar se ky lloj incidenti mund të ketë “pasoja të rënda”.

Paludan, nga ana e tij, njihet për videot e shumta anti-islamike të publikuara në YouTube. Ai themeloi “Stram Kurs” në vitin 2017, por në zgjedhjet e vitit 2019 nuk e kaloi pragun prej 2% të nevojshëm për të hyrë në Parlament.

Paludan bën thirrje për ndalimin e Islamit dhe dëbimin e të gjithë “azilkërkuesve joperëndimorë” nga vendet nordike.

Dyzet vjeçari, i cili në vitin 2020 mori edhe shtetësinë suedeze, ka djegur vazhdimisht Kuranin në shesh si “hakmarrje për fjalën e lirë”.

Të ngjashme