Barazia
Trashëgimia e pronës, e drejtë vetëm në letër
Demokracia
14:41 | 07 Maj 2021

Share:

S.D. tash e më shumë se 20 vjet jeton në Austri. Ajo është nga një fshat i Skënderajt dhe e ka vizituar çdo vit vendlindjen deri para katër vjetësh. Por gjërat ndryshuan në verën e vitit 2017. 43 vjeçja, nënë vetushqyese e dy fëmijëve, kërkoi që t’i ndahet pasuria e prindërve. Kjo gjë për dy vëllezërit e saj ishte e papranueshme.

“Vëllai i madh është kundër, thotë gratë nuk kanë hise e që unë nuk muj me lypë hise”.  S.D. pretendon që përgjatë viteve ka investuar në  pronën e përbashkët por në momentin kur ajo kërkoi hisen e saj vëllai i madh e përzuri atë dhe dy fëmijët.

“Pasuria nuk u nda hiç, unë jetoj që 23 vjet në gurbet dhe i kam ndihmuar familjes rregullisht. Unë kam investuar dhe e kam riparuar shtëpinë e vjetër pas luftës. Kur kam thënë këtë që unë kam investuar, ka nisë vëllai me ba probleme dhe më ka thënë që nuk kam hise dhe që duhet me i marr fëmijët dhe me dal edhe pse unë kam shkuar atje vetëm për pushim”.

Në atë shtëpi, sipas saj, nuk jeton askush, por ajo nuk lejohet as të shkojë ta vizitojë gjatë pushimeve. Madje problemi i hises ka shkaktuar përçarje edhe në familje meqë ajo ka pothuajse katër vjet që nuk flet me vëllezërit e saj. “Unë ju kam thënë nëse unë së paku nuk kam të drejtë të qëndroj në shtëpi, unë po e marr hisen tem dhe po e ndërtoj një shtëpi për vetën dhe për fëmijët. Më kanë thënë këtu hise nuk ki hiç”.

Normat gjinore tejkalojnë ligjet 

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, thotë që përderisa vetëm 4 për qind e grave kanë trashëguar pronë kjo është tregues që familja dhe shteti janë diskriminues.

“Puna e pronës në një farë mënyre organizohet ende në Kosovë sipas Lekë Dukagjinit, ende në Kosovë familja e ndan pronën, në mënyrën se qysh është ndarë më herët sipas kodeve të vjetra ku gratë mund të marrin disa të mira materiale por jo pronë”, thotë Demolli.

Por ajo sheh problem edhe në mënyrën se si bëhet ndarja ligjore e pronës.

“Në Kosovë një gabim i shtetit është që nuk e mbart në mënyrë automatike pronën që ti me qenë trashëgimtar dhe me një procedurë tjetër të ndodh heqja dorë, por heqja dorë ndodh bashkë me ndarjen. Edhe aty është një presion shumë i madh dhe gratë faktikisht nuk janë asnjëherë trashëgimtare, ato marrin pjesë vetëm në ndarje – pasi aty ndahet pasuria dhe aty heqin dorë”, shprehet Demolli.

Problematikë sipas saj vazhdon të jetë mënyra se si shihet gruaja në familje pasi normat gjinore vazhdojnë të jenë të forta. Por një prej arsyeve pse sipas Demollit gratë nuk trashëgojnë pronë është edhe varfëria. Familjet kosovare sipas saj janë të varfra dhe nuk kanë as çfarë të ndajnë.

“Në anën tjetër kapitalet e familjes kosovare janë të pakta dhe vendosin që t’ua japin djemve pasurinë për arsye se djemtë konsiderohen si mbajtësit e familjes dhe personat me kë qëndrojnë prindërit”, thotë Demolli.

Kurse sociologia Linda Gusia shprehet që meqë në Kosovë sistemi patriarkal ka qenë shumë i fortë, rrjedhimisht kjo pasqyrohet edhe me trashëgiminë në pronë – por viteve të fundit sipas Gusisë edhe kjo çështje është duke u sfiduar.

“Mendoj që patriarkaliteti manifestohet në forma të ndryshme. Trashëgimia prej babës tek djali ka qenë një karakteristikë e fuqishme qysh është manifestuar patriarkaliteti tek ne. Trashëgimia prej babës tek djali ka qenë një normë – e unë mendoj që kohëve të fundit është duke u sfiduar secilin vit e shumë e më shumë”.

Këtë ndryshim e sheh sociologia Gusia në mënyrën se si prindërit janë duke i rritur fëmijët e tyre.

“Qëndrimi i prindërve ka ndryshuar, ka ndryshuar qëndrimi i atyre që i përkasin gjeneratës më të re”.

Gusia si problematikë e sheh ende dallimin fshat-qytet, por sipas saj fuqizimi i grave është duke e ndryshuar mendësinë edhe në vendet rurale.

Sfidat ligjore për të marrë pronën 

Edhe nëse një grua vendos që të ndjekë rrugën ligjore për të siguruar pronën, rastet gjyqësore zgjasin me vite të tëra, prandaj shumë gra mund të demotivohen që t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje.

Sipas nenit 11 të Ligjit për Trashëgimi, trashëgimtarë ligjorë janë: fëmijët e trashëgimlënësit, të adaptuarit e tij dhe pasardhësit e tyre, bashkëshorti, prindërit, vëllezërit dhe motrat. Por pavarësisht këtij ligji në Kosovë vetëm 4 për qind e grave kanë trashëguar pronë nga prindërit.

Sipas avokates Edona Sina, ndonëse korniza ligjore i trajton barabartë gratë dhe burrat,  gjendja faktike është më e ndryshme.

“Duket sikur normat shoqërore – mentaliteti kanë fuqi dominuese më të madhe në zbatim se sa normat e përcaktuara juridike”.

Në Kosovë ka disa instrumente ligjore bazike që e rregullojnë çështjen e pronësisë dhe të drejtën e grave në trashëgimi, por sipas avokates Sina meqë në Kosovë janë të pakta rastet kur lihet testamenti – që do mund të zgjidhte çështjen e trashëgimtarëve, atëherë kjo çështje zgjidhet përmes ligjit. Përmes ligjit nënkuptohet nxjerrja e akt-vdekjes në komunë dhe certifikata ku shënohen trashëgimtarët që ka lënë pas i ndjeri. Pikërisht këtë procedurë e sheh si problematike avokatja Sina.

“Në Kosovë problemi qëndron mu këtu, në këtë fazë fillestare pasi që këtë certifikatë (e cila lëshohet vetëm një herë nga zyra e gjendjes civile), që mund të shkoj cilido nga trashëgimtarët ta nxjerrë, aty drejtpërdrejtë pa asnjë provë apo vërtetësi regjistron trashëgimtarët e trashëgimlënësit dhe ashtu siç regjistrohen atë ditë – ato të dhëna figurojnë në certifikatë. Që d.m.th ka hapësirë që trashëgimtari që shkon ta nxjerrë akt-vdekjen qëllimisht mund të fshehë ndonjë trashëgimtarë tjetër”, shprehet Sina.

Ajo shton që edhe pse kjo është vepër penale, në praktikë ndodh shpesh që personi që nxjerrë akt-vdekjen të mos i regjistrojë të gjithë trashëgimtarët.

“Ka pasur raste p.sh. kur vëllai nuk ka regjistruar motrën në akt-vdekje me arsyetimin se motra tashmë është e martuar dhe nuk konsiderohet (sipas tij) trashëgimtare. Rrjedhimisht, meqë është dokument zyrtar, gjykata bazuar në atë provë ka vendosur për pasurinë e trashëgimlënësit duke mos pasur njohuri se ka edhe trashëgimtarë të tjerë legjitim”.

Prandaj ajo gjykon që duhet të ndryshohet mënyra se si bëhet procedimi i dokumentit për akt-vdekjen.

S.D. është e bindur që do t’i shkojë kësaj çështje deri në fund. Ajo ëndërron të ndërtojë një shtëpi në vendin ku ka lindur.

“Po du ta ndërtoj një shtëpi për mua dhe fëmijët e mijë dhe kur të plakem të kthehem qaty ku kam lindur”. /Grazeta/

Të ngjashme
Barazia • 18 Janar 2022