Lajme
Trashëgimia e bombave
Demokracia
11:57 | 11 Prill 2021

Share:

22 vjet më parë, NATO bombardoi Jugosllavinë në emër të të drejtave të njeriut. Austria sfidohej me neutralitetin e saj. Shumë nga ajo çfarë ndodhi atëherë ndikon edhe sot. Revista prestigjioze austriake PROFIL këtë muaj i ka kushtuar një artikull 22 vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë, duke sjellë rrëfime nga personalitete të ndryshme evropiane mbi domosdoshmërinë e intervenimit të NATO-s për ta ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Gjatë kohës së luftë së Kosovës, revista PROFIL ka raportuar vazhdimisht mbi gjendjen e rëndë në Kosovë, duke e informuar publikun austriak për mizoritë e ushtruar ndaj popullatës civile shqiptare (disa të cilat po i sjellim ekskluzivisht për lexuesit tanë). Kjo revistë ka luajtur rol të rëndësishëm në mbledhjen e fondeve në Austri për refugjatët shqiptarë.

A mund të ndalen me fjalë aeroplanët luftarakë? Më 23 mars 1999, rreth orës 13:00, Wolfgang Petritsch provoi këtë për herë të fundit. Diplomati i lartë austriak qëndronte ulur në pallatin presidencial të Beogradit. Para tij është Sllobodan Milosheviç, më vonë i akuzuar për krime lufte. Petritsch përpiqet ta bind presidentin serb ta tërheqë ushtrinë e tij nga Kosova, një vend afërsisht sa Tiroli për nga sipërfaqja.

Një ditë më vonë bien bombat e para. Është pranvera e vitit 1999. Paraushtarakët serbë dhe ushtria jugosllave masakrojnë shqiptarët etnikë në Kosovë. Qindra mijëra dëbohen nga shtëpitë e tyre. Fotografitë e fshatrave që digjen, të refugjatëve dhe të kufomave të mbështjella me pëlhura mbushin gazetat. Në atë kohë, e gjithë bota po shikonte kah shteti afër Austrisë. Jugosllavia, dikur një federatë socialiste, ishte shkatërruar nga luftërat civile të përgjakshme. Qindra mijëra të vdekur, më shumë se dy milion refugjatë: nuk ka pasur një bilanc të tillë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. SHBA dhe Bashkimi Evropian janë të vendosur: shekulli XX nuk duhet të përfundojë me një gjenocid tjetër. Vetëm katër vite më parë, helmetat blu në Srebrenicë kishin qëndruar duarkryq derisa milicitë e serbëve të Bosnjës vranë 8,000 burra dhe djem. Nuk mund të përsëritej ky gabim. Derisa NATO po kërcënonte me sulme ajrore dhe avionët luftarakë tashmë ishin në gjendje gatishmërinë në Aviano, Itali, tre diplomatë përpiqen për herë të fundit për të zgjidhur me fjalë konfliktin: rusi Boris Majorski, amerikani Christopher Hill dhe austriaku Wolfgang Petritsch.

Petritsch, një austriak nga Kärnten, fliste sllovenisht që e kishte mësuar nga gjyshja kur ishte fëmijë. “Kjo është arsyeja pse nuk ishte aq e vështirë për mua të mësoja serbo-kroatisht,” thotë ai sot. Ai e filloi bisedën e tij të fundit me Milosheviç kështu: “Zoti President, unë isha dje me Peter Handke”.

Në fakt, Petritsch kaloi mbrëmjen e një dite më parë në Chaville, një periferi të Parisit. Atje, në një shtëpi të pa suvatuar, me një kopsht, jetonte shkrimtari Peter Handke, gjithashtu një kärntner, por ndryshe nga diplomati Petritsch, ai ishte një përkrahës i Millosheviçit. “Handke gatoi, pimë dhe biseduam”, tregon Petritsch në një intervistë me “Profil”. Poeti u sul kundër NATO-s “kriminale”, mjaft emocionalisht, siç mendon Petritsch sot, por edhe pak naiv sepse “natyrisht që nuk kishte asnjë ide” për proceset diplomatike. Petritsch sapo kishte ardhur nga Rambuje, jo shumë larg Parisit, ku serbët dhe shqiptarët e Kosovës kishin negociuar për javë të tëra në një kështjellë – më kot. Delegacionet madje nuk pranuan të ulen në një tavolinë. Petritsch duhej të përcillte mesazhet e tyre nga një krah i kalasë në tjetrin. Negociatat e paqes dështojnë për shkak të çështjes nëse një force paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO i lejohet liria e lëvizjes nëpër Jugosllavi. Beogradi donte të parandalonte që Kosova të bëhej e pavarur, siç kishin bërë Sllovenia dhe Kroacia më parë. Nën presidentin socialist Josip Tito, Kosova ishte një krahinë autonome, por nuk ishte republikë, gjë që e bëri të vështirë kalimin në pavarësi. Shqiptarët kishin të drejta të pakicave, u lejohej të flisnin gjuhën e tyre dhe gëzonin përfaqësim politik. Kur Tito vdiq në 1980, nacionalizmi lulëzoi. Në vitin 1989, Millosheviç e hoqi autonominë e Kosovës përmes një ndryshimi të dhunshëm të kushtetutës. Nga atëherë, vetëm serbishtja do të flitej në shkolla dhe shqiptarët do të degradoheshin në qytetarë të klasit të dytë. Pas viteve të rezistencës paqësore, në vitin 1996, u shfaq UÇK, një ushtri guerile shqiptare që kryente sulme kundër stacioneve të policisë serbe dhe herë pas here ndaj civilëve. Spiralja e dhunës filloi. Në kohën kur bashkësia ndërkombëtare ndërmjetësoi, lufta civile kishte kohë që ishte ndezur. Kur Petritsch vizitoi Handken në Paris, bombat ishin gati. Të dy e kishin njohur njëri-tjetrin që nga viti 1980, kur Petritsch ishte Sekretar i Kancelarit Bruno Kreisky. Në vitet e ardhshme, Handke do të tregojë solidaritet të fortë me Serbinë dhe, nga këndvështrimi i kritikëve të tij, do të relativizonte krimet e luftës. Në vitin 2006 ai mbajti një fjalim në varrimin e Millosheviçit dhe më vonë tha se për të ajo ditë ishte fundi i Jugosllavisë. Por shteti multi-etnik ishte shpërbërë shumë më herët, jo pak për shkak të nacionalizmit që Millosheviçi nxiti në Kosovë. Handke më vonë u ankua se Perëndimi nuk e kuptonte Serbinë si duhet. Por kur Petritsch e pyeti në mars 1999 nëse duan të fluturojnë së bashku në Beograd për të bindur Millosheviçin për paqe, ai kishte thënë jo. Petritsch përmendi Handken në negociatat e fundit me shpresën për të ngjallur simpati me Millosheviçin. Por të gjitha shenjat tregonin se do të kishte vetëm luftë.

Më 24 mars rreth orës 15:00 Petritsch ishte diplomati i fundit i huaj që mori në dorë valixhet për t’u larguar. “Personalisht, nuk mund ta imagjinoja bombardimin”, thotë ai. “Mendova se do të kthehesha të nesërmen”. Gjërat rrodhën krejt ndryshe.

Në autostradë, një orë para Vjenës, Petritsch mëson nga radioja për sulmet ajrore që do të fillonin në orën 20:45 në mbrëmje. Në kujtimet e tij ai shkruan se ky moment ishte gjithashtu një “dështim personal” për të. Si student, Petritsch protestoi kundër luftës së Vietnamit, një luftë që ishte shumë larg. Tani një luftë tjetër ndodhej afër pragut të shtëpisë së tij, në qytetin në të cilin ishte dërguar në 1997 si ambasador i Austrisë. Bomba në Beograd, përsëri. Beogradi u bombardua nga forcat ajrore të Hitlerit në prill 1941. 50 vite më vonë nga një aleancë e shteteve demokratike perëndimore, të udhëhequra nga SHBA. Bundeswehr-i gjerman po merr pjesë gjithashtu – për herë të parë që nga viti 1945. Aleksandar Vučić, atëherë Ministër i Informacionit dhe tani President i Serbisë, flet fjalë për fjalë për “praktikat naziste”, një paralele historike e pakuptimtë. “Të dy palët gjykuan keq njëri-tjetrin,” beson Petritsch. NATO shpresonte që Milošević do të hidhte peshqirin pas disa ditësh. Beogradi besoi të njëjtën gjë për palën tjetër.

Lufta ajrore zgjati 78 ditë. Ajo nuk i dha fund menjëherë dëbimit sistematik të shqiptarëve. Përkundrazi. Bombat nxitën më shumë urrejtje etnike. Në fund, gjysma e popullsisë në Kosovë ishte në arrati, gjithsej 800,000 njerëz. Nëse bombat e NATO-s ishin të justifikuara, është ende temë e një debati moral që mund të përmblidhet me një pyetje: A është e ligjshme të shkaktosh vuajtje tek njerëzit për të parandaluar vuajtje edhe më të mëdha? Kjo pyetje ndau ekipin editorial të revistës “Profilit” në atë kohë. Për Evropën, ndërhyrja nënkuptonte jo vetëm një pikë morale, por edhe një pikë kthese në të drejtën ndërkombëtare. Ishte lufta e parë që nuk u zhvillua në emër të interesave kombëtare por në emër të vlerave. Kancelari gjerman Gerhard Schröder foli për një “ndërhyrje humanitare”, Presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, për mbrojtjen e njerëzve të pafajshëm. Për sa i përket të drejtës ndërkombëtare, trashëgimia e bombave të NATO-s ende hedh një hije mbi projektin e paqes në Evropë. Operacionit ushtarak i mungonte legjitimiteti ligjor, më saktësisht një mandat nga Këshilli i Sigurimit i KB. Fuqitë me veto, Kina dhe Rusia, kurrë nuk do të kishin miratuar ndërhyrjen.

Revista Profil raportoi gjerësisht për zhvillimet në Kosovë dhe rreth Kosovës në vitin 1999

“Ishte një situatë e vështirë ligjore”, kujton Werner Fasslabend, atëherë Ministri i Mbrojtjes i Austrisë. Nëse e pyet Fasslabend se çfarë kishte ndodhur, ai tregon një histori nga vera e vitit 1990. Atëherë ai ishte në Ballkan për një udhëtim privat. “Unë u ktheva me ndjenjën se një krizë ishte e afërt”, thotë ai në një intervistë me “Profil”. Në ditën e tij të parë si ministër i mbrojtjes, Fasslabend i dha kreut të tij të kabinetit një listë të detyrave. Titulli ishte: “Përgatitjet për një krizë në Jugosllavi”. Austria, e përkushtuar ndaj neutralitetit që nga Traktati i Shtetit i vitit 1955, nuk ishte anëtare e NATO-s. Ndryshe nga Italia ose Gjermania, ajo nuk mund të merrte pjesë në operacion. Austria madje refuzoi të lejojë avionët e NATO-s të fluturojnë mbi hapësirën e saj ajrore.

Faruk Ajeti, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare (oiip) shkroi disertacionin e tij mbi Kosovën në politikën e jashtme austriake. Ai e përshkruan pozicionin e Vjenës në atë kohë si ambivalent: “Në një anë, Austria nuk dha leje për fluturime (në hapësirën ajrore austriake), në anën tjetër, si një shtet anëtar i BE, ajo mbështeti politikisht sulmet ajrore”.

Në Austri, Kosova shkaktoi një debat kushtetues. Pyetja kryesore ishte: Sa i besueshëm është neutraliteti ynë kur qindra mijëra janë zhvendosur në afërsi të menjëhershme? Ndërsa social-demokratët këmbëngulën për neutralitet, ÖVP kërkoi që ajo të përshtatej me “rrethanat”. Qysh në qershor 1998, Ministri i Jashtëm dhe Zëvendëskancelar i atëhershëm Wolfgang Schüssel deklaroi në një intervistë: “Ne e dimë se askush nuk mund të mbetet neutral në konfliktin midis zjarrit dhe zjarrfikësit”. “Zjarri” nënkuptonte regjimin e Millosheviçit, “zjarrëfikësit” – NATO.

A ka qenë ndonjëherë Austria neutrale në këtë konflikt? Po, thotë ish-Ministri i Mbrojtjes Fasslabend. Ata as nuk morën pjesë në luftë dhe as nuk pranuan baza ushtarake nga vendet e huaja.

Jo, thotë Faruk Ajeti nga oiip: “Austria kurrë nuk ishte neutrale gjatë luftërave jugosllave, por gjithmonë në anën e viktimave. Kishte një konsensus se shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mund të jenë kurrë çështje e brendshme e një shteti”.

Një ballinë e Profil e prillit 1999. Faruk Ajeti nga oiip thotë se “Austria kurrë nuk ishte neutrale… por gjithmonë në anën e viktimave”

Më 9 qershor 1999, Millosheviç u tërhoq pas presionit të Rusisë dhe tërhoqi trupat e tij nga Kosova. Që atëherë, një gjeneratë me narrativë diametralisht të kundërt është rritur në Beograd dhe Prishtinë. Nga perspektiva e shqiptarëve, Kosova u çlirua në verën e vitit 1999 dhe një statujë e Bill Klintonit qëndron sot në Prishtinë. Dy vjet më parë, në 20 vjetorin e ndërhyrjes, ish-presidenti amerikan udhëtoi në vendin e vogël për të mbajtur një fjalim para turmave të gëzuara. Clinton, tani 74 vjeç, respektohet si një ylli  pop-it në Kosovë.

Për Beogradin, bombat nuk ishin një shpëtim, por një humbje. NATO shihet si agresor që ilegalisht hoqi Kosovën nga Serbia.

“Për shumë serbë, bombardimet e NATO-s ishin përvoja e parë dhe e vetme e luftës gjatë luftërave në ish-Jugosllavi”, thotë historiania e Evropës Lindore, Elisa Satjukow, nga Universiteti i Leipzig. Satjukow shkroi një histori serbe të bombardimeve, duke përdorur ditarë, burime të internetit dhe gazeta. Në librin e saj “Ana tjetër e ndërhyrjes” ajo merret me pyetjen se si i ka përjetuar popullata serbe këto 78 ditë. Këta tregojnë për ndërtesa të bombarduara, urën e shkatërruar të Danubit në Novi Sad ose flakë portokalli-kuqërremtë në qiellin e zi. Në librin e saj, Satjukow kap një histori të përditshme të gjendjes së jashtëzakonshme. Flitet për fqinjët që bëhen së bashku në strehimoret dhe parkimet nëntokësore të makinave, për njerëzit që grumbullojnë mallra të konservuara ose duke ikur te familjet e tyre në vend. Por edhe për demonstruesit që vendosin fjalën “shënjestër” në gjoksin e tyre. Historianja e Evropës Lindore shkruan për restorantet që mundohen t’i tërheqin konsumatorët me ulje çmimesh por mbeten të zbrazëta, për ndërprerjet e energjisë, për grumbullimin e mbeturinave dhe ujin e zier me lëng limoni. Frika ekzistenciale për t’u goditur nga copëzat është e përzier me këto anekdota nga jeta e përditshme. Si Milica Rakić, e cila ishte vetëm tre vjeç në 17 prill 1999. Ose një kolonë e refugjatëve shqiptarë në Kosovë që u godit aksidentalisht. NATO i deklaroi këto viktima civile si dëm kolateral.

NATO fillimisht njoftoi se do të vepronte si një kirurg dhe do të përdorte teknologjinë me lazer për të drejtuar raketat në objektiva strategjikë ushtarake. Por, për të rritur presionin ndaj Millosheviçit, aleanca përshkallëzoi sulmet. Jo vetëm kazermat, rafineritë e naftës dhe urat u shkatërruan, por edhe ndërtesat civile, përfshirë ambasadën kineze në Beograd.

“Në atë kohë u tha që ambasada u godit rastësisht sepse ndërtesa nuk ishte shënuar në hartë”, thotë ish-Ministri i Mbrojtjes Fasslabend. Në retrospektivë, ai e përshkruan atë si një lëshim për t’u definuar ambasadat perëndimore si caqe ushtarake. “Për mua ishte një shprehje e një qasjeje amatore,” thotë Fasslabend.

Historiania e Evropës Lindore Satjukow e pyet veten sot se çfarë trashëgimie politike lënë bombat. Që kur Presidenti i tanishëm Aleksandar Vuçiq dhe partia e tij e djathtë konservatore kanë marrë pushtetin, ajo ka vërejtur një ringjallje të kulturës së përkujtimit, por gjithashtu një zhvendosje narracioni në kuptimin e krijimit të një miti të viktimës kombëtare. Fillon me numrat, thotë Satjukow: “Numrat qëndrojnë prej vitesh në tryezë, të vendosura zi në të bardhë, por që nuk komunikohen në Serbi”.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, një organizatë joqeveritare me zyra në Beograd dhe Prishtinë, 454 civilë vdiqën nga bombat e NATO-s dhe pasojat e tyre. Qeveria serbe flet për të paktën 2500 viktima. Ndërhyrja portretizohet si një sulm kundër popullit serb, megjithëse kishte më shumë viktima civile në Kosovë. Në procesin e pajtimit, sipas Satjukow, konkurrenca midis viktimave nuk ndihmon: “Vuajtja nuk mund të matet”, thotë ajo, “por, përveç përballjes individuale me traumën, më në fund duhet të ketë një proces ligjor dhe shoqëror. Debati për atë që ka ndodhur në Kosovë ende nuk është zhvilluar në Serbi”.

Faruk Ajeti nga oiip argumenton në një mënyrë të ngjashme: “Politika serbe priret të flasë për sulmin e NATO-s si një ngjarje e izoluar, por nuk thotë asnjë fjalë për atë se çfarë e shkaktoi atë në radhë të parë”.

Këtu (në Prishtinë) është një statujë e Klintonit që përshëndet, e atje (në Beograd) protesta dhe vajtime anti-NATO. Më 9 qershor, kur bota do të kujtojë përfundimin e luftës së parë të NATO-s, Beogradi dhe Prishtina do të shfaqen përsëri si dy planete të largëta. E janë vetëm 520 kilometra larg njëri-tjetrit.

© Profil, Franziska Tschinderle

/Demokracia.com/

Të ngjashme