Lajme
Transkript/Foto: Minishengeni ide e presidentit Fatmir Sejdiu, ish-këshilltarja Vjosa Osmani që i qëndronte në krah ia atribuon Serbisë
Demokracia
13:31 | 02 Korrik 2022

Share:

Edhe pas përkrahjes amerikane për “Ballkanin e Hapur”, presidentja Vjosa Osmani po vazhdon t’i referohet deklaratës së kryediplomatit rus Sergei Lavrov, duke e marrë atë si të mirëqenë dhe jo si përpjekje për minimin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Si shefe e stafit të presidentit Fatmir Sejdiu dhe këshilltare e tij për çështje ligjore dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Vjosa Osmani e kishte këshilluar atë për idenë e minishengenit ballkanik, që para një dekade ishte “patentuar” si ide e presidentit Fatmir Sejdiu, shkruan Demokracia.com.

Ishte pikërisht mini-samiti i mbajtur në Prevallë të Prizrenit, në të cilin asokohe po merrnin pjesë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ai i Shqipërisë, Bamir Topi, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ku pas përfundimit të tij më 26 qershor 2010, që të gjithë kishin dalë edhe zyrtarisht në mbështetje të idesë së presidentit Fatmir Sejdiu për një minishengen ballkanik.

Në të gjitha takimet bilaterale që presidenti Sejdiu i kishte zhvilluar me tre presidentët e tjerë të shteteve të rajonit, përkrah tij kishte qenë edhe ish-këshilltarja Vjosa Osmani, tash presidente e vendit, shkruan Demokracia.com.

Nikoqiri i takimit, presidenti Sejdiu kishte treguar se temë bosht e këtij takimi ishte liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave në këtë pjesë të Evropës, duke ripërsëritur kërkesën e tij për një minishengen ballkanik.

“Andaj, sot themi se jemi afër realizimit praktik të asaj që e kemi thënë më herët, një minishengen ballkanik për lirinë e lëvizjes së njerëzve”, kishte thënë presidenti Sejdiu.

Në transkriptin zyrtar përshkruhet edhe deklarata e presidentit malazez, ku thotë se të katër vendet kanë themeluar një minishengen zonë.

“Duke folur për temën që ishte kryesore për lirinë e lëvizjes së njerëzve theksuam që të katër vendet kemi themeluar një minishengen zonë dhe kjo është themelore për rrugën drejt integrimeve evropiane”, citohet të ketë thënë presidenti malazez, Filip Vujanoviq, shkruan Demokracia.com.

Takimi me delegacionin e Shqipërisë

Takimi me delegacionin e Maqedonisë

Takimi me delegacionin e Malit të Zi

Kësaj iniciative rajonale i ishte ndërruar emri pas ndërlidhjes së saj me “Jugosllavinë e re” dhe nga viti 2021 “Minishengeni” quhet “Open Balkan”.

Pas ardhjes në pushtet, Kurti e Osmani idenë e minishengenit ballkanik e trajtojnë si ide të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ndërkaq, Vjosa Osmani që asokohe kur ishte lansuar kjo ide e këshillonte presidentin Sejdiu edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare, tani e ulur në karrigen e tij të mëhershme po vazhdon ta marrë si të mirëqenë edhe deklaratën e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili vetëm dy ditë para samitit të radhës së “Ballkanit të Hapur” që u mbajt në Ohër deklaroi se nisma për këtë organizim të shteteve të Ballkanit është e Serbisë, të cilën e përkrahë Rusia.

Në një intervistë për KTV-në, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ditë më parë vazhdoi t’i referohej kësaj deklarate të Ministrit të Jashtëm të Rusisë, edhe përkundër faktit se ishte këshilltare për marrëdhënie ndërkombëtare e njeriut që e lansoi dhe tani edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë mbështetje kësaj nisme rajonale, duke e quajtur deklaratën e ministrit rus ‘dashakeqe’.

“Në momentin kur Ministri i Jashtëm i Rusisë ka dalë dhe e ka përkrahë një nismë të tillë (Ballkanin e Hapur) besoj që ka dëshmuar një herë e përgjithmonë se ku janë interesat dhe kjo është dashur të jetë përgjigjja për gjithësecilin e jo pastaj të hyjmë në detajet tjera”, ka thënë Osmani, duke bërë kështu që njeriu i parë i shtetit të vazhdojë t’i referohet dhe ta marrë të mirëqenë deklaratën e shtetit rus që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe jo si përpjekje për ta minuar bashkëpunimin rajonal.

Në këtë intervistë, gazetari ia kujton Osmanit se këtë nismë po e mbështesin edhe Shtetet e Bashkuara, gjë që u pajtua, duke cituar njëkohësisht edhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor se e mbështesin një iniciativë të tillë, me një parakusht që të ketë gjithëpërfshirje të gjashtë shteteve dhe në nivel të njëjtë.

Pavarësisht faktit se presidentja Osmani dukej mjaft e njohur me qëndrimin amerikan në mbështetje të Ballkanit të Hapur, duket e çuditshme se përse ajo vazhdon ta citojë ministrin rus.

Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur dihet se pretendimet e shefit të diplomacisë ruse janë hedhur poshtë edhe nga Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, duke e cilësuar deklaratën e Lavrovit si dashakeqe.

Osmani nuk është deklaruar asnjëherë për mbështetjen e madhe që i ishte dhënë idesë së minishengenit ballkanik në kohën e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, të cilit i kishte shërbyer si këshilltare kryesore.

Por, për këtë ide, vite më parë ishte deklaruar ish-shefi i saj Fatmir Sejdiu, duke treguar se asokohe ishte biseduar për mundësitë e liberalizimit të kufijve në mes vendeve të këtij rajoni, duke pasur parasysh një qarkullim më të mirë dhe pa pengesa rreth formaliteteve që kërkoheshin.

Transkripti i konferencës së Sejdiut, Topit, Ivanovit dhe Vujanoviqit:

Idenë për minishengenin ballkanik, Sejdiu kishte thënë se e ka prezantuar në vitin 2008, në vizitën shtetërore që kishte pasur në Tiranë, në takimin me presidentin Topi dhe në takimet e mëvonshme nga viti 2008 deri në vitin 2010.  /Demokracia.com/

Të ngjashme