OpEd
Traktat i ri Francë-Itali, do ndryshojë politikat e Bashkimit Evropian
Demokracia
11:19 | 27 Nëntor 2021

Share:

Lista e gjërave për të cilat kanë debatuar midis tyre në dekadën e fundit Franca dhe Italia, variojnë nga ato seriozet, deri tek budallallëqet. Kështu Nicolas Sarkozy dhe Silvio Berlusconi u grindën mbi emigrantët e paligjshëm që kalonin nga Italia në Francë.

The Economist

Kur “Jelekë-verdhët” u ngritën të protestonin në Francë, Luigi Di Maio, atëherë zëvendëskryeministër i Italisë, ofroi mbështetjen e tij publike ndaj tyre. “Era e ndryshimit i ka kaluar Alpet”- deklaroi Di Maio. Franca reagoi, dhe në shenjë proteste e tërhoqi ambasadorin e saj nga Roma.

Në Libi, Italia dhe Franca e gjetën veten duke mbështetur palët e kundërta në një luftë civile në pragun e Evropës. Madje, një ministër italian u ankua se francezët po përpiqeshin të pretendonin se Leonardo da Vinci ishte francez, dhe se si për ta shtuar fyerjen ndaj kombit italian, e thoshin gabim emrin e artistit.

Grindje të tilla u zhdukën vitin e kaluar. Tashmë darkat mondane kanë zëvendësuar zhargonin diplomatik. Në shtator, presidenti Emmanuel Macron dhe kryeministri italian Mario Draghi, biseduan deri pas mesnatës në një takim 4-orësh në “Le Petit Nice”, një restorant me tre yje ‘Michelin’ në Marsejë, që ofron një meny pjatash, të cilat kushtojnë të paktën 590 euro personi, përfshirë verën.

Qasja populiste ndaj politikës franceze nga ana e politikanëve italianë, i përket tashmë së kaluarës, e zëvendësuar nga Macron dhe Draghi që po arrijnë të bien dakord. Për të çimentuar marrëdhëniet e përmirësuara, Macron dhe Draghi, nënshkruan të enjten një traktat dypalësh të diskutuar prej kohësh.

Ai do të mbulojë gjithçka, nga integrimi në fushën e mbrojtjes, deri tek emigracioni, dhe nxitjet për të rinjtë të përjetojnë ‘La belle France’ dhe ‘La dolce vita’. Modeli është Traktati i Elizesë, të cilin qeveritë franceze dhe gjermane e nënshkruan në vitin 1963.

Ai dokument siguroi “shtyllën kurrizore” të marrëdhënieve midis 2 vendeve. Por krahasime të tilla mund të duken disi të tepruara. Paqtimi mes 2 vendeve pas një lufte kontinentale, është një punë më e vështirë se sa të shpikësh diçka të re pas një diplomacie jo-diplomatike.

Ky paralelizëm shpërfill shpejtësinë dhe cinizmin që nxiti nënshkrimin e Traktatit të Elizesë. Presidenti francez Charles de Gaulle e pa dokumentin si një mënyrë për të krijuar një të çarë midis Gjermanisë dhe Amerikës. Ai nuk u përmend në një takim të zhvilluar midis liderëve gjermanë dhe francezë një muaj më parë.

Por nëse traktati franko-gjerman i 58 viteve më parë kishte të bënte me Amerikën, atëherë traktati franko-italian ka të bëjë me Gjermaninë. Ose kështu thonë zyrtarët nga vendet e tjera, që e kanë analizuar nga afër. Secila nga partitë në qeverinë e re gjermane i ofron Francës diçka për t’u shqetësuar, qoftë kjo politika e dobët e mbrojtjes e Socialdemokratëve, masat e kursimit nga Demokratët e Lirë, apo kundërshtimi i fortë ndaj energjisë bërthamore nga Të Gjelbrit.

Por Franca ka nevojë për opsione, dhe Italia është një opsion i mirë. Një shembull i vogël i potencialit të një aleance të re franko-italiane u pa vitin e kaluar, kur një lobim i përbashkët për borxhin e përbashkët evropian – një ëndërr e vjetër e francezëve dhe italianëve, por një makth i gjermanëve – e nxiti qeverinë gjermane të hiqte dorë nga kundërshtimi i saj i gjatë ndaj kësaj ideje.

Largimi i Kristiandemokratëve (CDU) të Angela Merkelit nga qeveria, pritet të ndryshojë marrëdhëniet e pushtetit brenda BE-së. Por sado që të përmirësohen raportet mes Francës dhe Italisë, Gjermania do të mbetet aleatja kryesore e Francës. Një marrëveshje e pranueshme

për Francën dhe Gjermaninë, është ndoshta e pranueshme për shumicën e vendeve të BE-së. Ndërsa një marrëveshje e pranueshme për Italinë dhe Francën, mund ta ketë shumë të vështirë të gjejë mbështetje përtej Mesdheut. Çdo ndryshim i madh në politikë kërkon këmbënguljen e aksit franko-italian. Por ajo ende ka nevojë për lejen e Gjermanisë.

Në vend të kësaj, një marrëdhënie më e barabartë midis 3 vendeve më të mëdha të BE-së, është pasoja më e mundshme e këtij traktati. Gjermania është anëtarja më e madhe e unionit, ndërsa Franca është më dinamikja politikisht, të paktën nën president Macron.

Por Italia është më e rëndësishmja. Nëse Italia, ekonomia e tretë më e madhe e klubit, mund t’i rikthehet rritjes ekonomike reale pas disa dekadash stanjacioni, ajo do të përcaktojë edhe “shëndetin ekonomik” të klubit. Mënyra sesi do të përballet Italia në një epokë post-Draghi, kur sondazhet sugjerojnë se gati gjysma e votuesve italianë do të mbështesin Lega-n (e të djathtëss), Vëllezërit e Italisë (e të djathtës ekstreme) dhe Forza Italia (partia e Berlusconit), do të përcaktojë edhe politikën e BE-së në përgjithësi.

Një Itali që është në gjendje të diktojë debatet në union – si ato mbi rregullat e shpenzimeve më të lirshme apo mbi migracionin – do të jetë më e përshtatshme për t’u marrë me të dyja problemet. Për Italinë, traktati ka një domethënie më të madhe për veten e saj, sesa lidhjet e saj me Francën.

Kur ishte Ministër i Financave, Draghi përgatiti hyrjen e vendit në eurozonë. Arsyeja ishte ‘il vincolo esterno’, kufizimi i jashtëm:e lidhur në një bashkim monetar, Italia nuk do të vuante më nga problemet e vetë-shkaktuara, siç është për shembull inflacioni i lartë.

Tanimë një politikan teknokrat dhe jo një teknokrat politik, Draghi ka ndjekur një strategji të ngjashme në krye të qeverisë italiane. Nën drejtimin e tij, Italia ka marrë pjesën më të madhe, 190 miliardë euro, nga fondi i rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, duke premtuar reforma të gjera, që do të kërkojnë vite për t’u realizuar.

Në rast se Italia i dëshiron këto para, ajo duhet të vazhdojë që të ndjekë politikat e përcaktuara nga Draghi, pavarësisht se kush do ta drejtojë më vonë qeverinë. Por një marrëveshje dypalëshe me Francën, përbën një pengesë tjetër.

Me një traktat në fuqi, një marrëdhënie e qetë burokratike, duhet të vazhdojë edhe në në mesin e politikave më të stuhishme. Draghi dhe Macron, e dinë se nuk do të jenë përgjithmonë në krye të vendeve të tyre. Pasardhësit e tyre mund ta bëjnë Sarkozy-n të duket si Buda dhe Berlusconin-in një burrë shteti.

Macron përballet me zgjedhjet në pranverë. Ndërkohë nuk dihet nëse Draghi do të qëndrojë si kryeministër apo do të përpiqet të bëhet president i Italisë. Traktatet nuk janë të pagabueshme. Një qeveri e ardhshme mund t’i lërë marrëveshjet pas dore, ose t’i rrëzojë ato krejtësisht.

Pas nënshkrimit të traktatit franko-gjerman në vitin 1963, De Gaulle pa se si shpresat e tij për të krijuar një të çarë midis Gjermanisë dhe Amerikës, u shuan kur parlamenti gjerman miratoi një rezolutë që angazhohej ndaj NATO-s. Gjenerali tha me ironi:”Siç e shihni traktatet janë si vajzat dhe trëndafilat:ato zgjasin për aq sa zgjasin!”. Megjithatë, kjo është vërtetë një kohë e gjatë.

Të ngjashme
OpEd • 19 Prill 2024
OpEd • 18 Prill 2024