Sport
Trajneri i Rumanisë flet për Rrahmanin dhe Krasniqin: Kosova ka futbollistë shumë të mirë
Demokracia
16:13 | 11 Shtator 2023

Share:

Edi Iordanescu ka folur për dy futbollistët kosovarë Albion Rrahmanin dhe Ermal Krasniqin.

Dy reprezentuesit e Kosovës aktualisht janë pjesë e futbollit rumun me Rrahmanin që është pjesë e Rapidit të Bukureshtit, derisa Krasniqi luan për CFR Cluj.

Përzgjedhësi i Rumanisë ka folur në konferencë për shtyp, teksa ka thënë se dy futbollistët kosovarë e njohin mirë futbollin rumun dhe mund të japin informacione te trajneri i Kosovës.

Iordanescu e vlerëson këtë si një problem, por ai është i bindur në suksesin e përfaqësueses së tij.

“Edhe kjo mund të jetë një çështje. Ata janë dy lojtarë që mund t’i japin shumë informata Kosovës për futbollin rumun dhe lojtarët që i kemi në ekip”.

“Kjo sigurisht shkon kundër meje, por synimi im është ta kemi paraqitje të mirë dhe sigurisht të fitojmë për të ecur drejt kualifikimit”, shtoi ai.

Tutje i pari i shtabit teknik të Rumanisë ka thënë se Kosova ka futbollistë të mirë që bëjnë dallimin sidomos në duelet një me një.

“Kosova ka një lojë të mirë, po ashtu lojtarë që mund ta bëjnë dallimin në duelet një me një pasi janë shumë të mirë teknikisht. Kjo mund ta bëjë dallimin në çdo moment të lojës dhe ata kanë ardhur këtu të vendosur për të fituar”, ka deklaruar ndër të tjera Iordanescu.

Rumania dhe Kosova do të përballen të martën mbrëma në Arena Nationala në Bukuresht me fillim nga ora 20:45.

Të ngjashme