Sport
Trajneri i Clujit: Ballkani është surpriza e grupit, kanë shënuar gjashtë herë si mysafir
Demokracia
16:17 | 02 Nëntor 2022

Share:

Trajneri i CFR Cluj, Dan Petrescu ka vlerësuar maksimalisht kampionin e Kosovës, Ballkanin pak ditë para duelit në Ligën e Konferencës.

Ai ua ka bërë të qartë futbollistëve të tij që të kenë kujdes të shtuar ndaj “portokallezinjve” për disa arsye.

“Shansi ynë i vetëm është të fitojmë, por Ballkani është një skuadër që ka shënuar 6 gola jashtë, me Sivasspor dhe Slavia. Është e qartë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”, tha Dan Petrescu, trajneri i CFR Cluj për mediat rumune, transmeton Demokracia.com.

“Ne nuk jemi një skuadër perfekte për të fituar ndeshje pas ndeshjeje, ndonjëherë humbasim. Në kampionat kemi ende kohë për t’u rikuperuar. Të enjten kemi mundësinë të shkojmë në pranverën evropiane. Do të ishte një sukses material dhe futbollistik. Ballkani është surpriza e këtij grupi”, ka deklaruar trajneri i ekipit rumun.

CFR Cluj dhe Ballkani do të përballen të enjten me fillim nga ora 18:45 në Rumani, në kuadër të rrethit të fundit të Grupit G në Ligën e Konferencës.

Ballkani është pa gjasa tanimë për kalim tutje, duke u pozicionuar me katër pikë në vendin e fundit. Cluj ka shtatë pikë në vendin e dytë, po aq sa Slavia Praha në pozitën e tretë.

Grupit i prin Sivasspori me 10 pikë të grumbulluara./Demokracia.com/

Të ngjashme