Lajme
Trajkoviq – Rakiqit: Çka për ata që iu dogjën veturat në veri, t’i mbulojnë vetë dëmet?
Demokracia
18:58 | 02 Prill 2023

Share:

Politikanja serbe nga Kosova që shërben edhe si këshilltare politike e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka reaguar rreth djegies së veturave të qytetarëve serbë të Kosovës, duke shtruar pyetjen se “a duhet ata të mbulojnë vetë?” referuar dëmeve të pësuara.

Trajkoviq i ka reguar Gorna Rakiqit, kryetarit të Listës Serbe, i cili bëri thirrje për “kryengritje të përgjithshme” nëse nuk lirohte Millan Bozhoviq, duke shkruase “e qytetarët veturat e të cilëve u dogjën, lëri ata të mbulojnë vetë dëmet që pësuan”.

Më herët gjatë ditës së sotme, Rakiq në një konferencë për shtyp në Beograd tha se Lista Serbe do të bëjë thirrje “për një kryengritje të përgjithshme të popullit serb, nëse vazhdon represioni në Prishtinë” dhe serbi i arrestuar nuk lirohet.

Arrestimi i Bozhoviqit, përplasen Sveçla dhe Rakiqi – “Nuk ka kriminel që na sfidon”, “Lirojeni ose pritni kryengritje”

Pas djegieve të njëpasnjëshme të veturave me targa RKS që ngjanë vetëm këtë javë në pjesën veriore të vendit, afro tetë sosh, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili u shpreh se është “përgjegjësi” e Qeverisë së Kosovës që të mbrojë qytetarët e saj ndaj këtyre zjarrvënieve kriminale, shkruan Insajderi.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të vazhdueshme ka dënuar zjarrvënien kriminale të veturave në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto akte kriminale”, ka shkruar ambasadori amerikan në rrjetin e tij në Twitter.

Ndërkaq edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar për djegien e veturave për çka edhe i është drejtuar Listës Serbe, subjektit politik i cili ka mbështetjen më të madhe në ato zona, të dënojë këto akte. Rohde u shpreh i shqetësuar pikërisht me të kundërtën e kësaj, përkatësisht me mosdënimin e këtyre akteve nga ta.

“Pse? Është tejet shqetësuese që Lista Serbe nuk ka dënuar sulmet zjarrvënëse mbi veturat e qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar në dënimin e këtyre praktikave”, shkroi Rohde.

Përkundrazi, Lista Serbe e cila udhëhiqet nga Goran Rakiq, jo vetëm që nuk i ka dënuar këto akte kriminale por nga Beogradi, në një konferencë shtypi me të ashtuquajturin drejtor të një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, kërcënoi me “kryengritje të përgjithshme” në rast të moslirimit të Milan Bozhoviq. Ky i fundit është arrestuar për sulm dhe plagosje të zyrtarëve policorë të Kosovës si dhe zjarrvënie të veturave.

Të ngjashme